“Që shenjtëria të vazhdojë të jetë flamuri i Kishës sonë”, uron Kardinali Arqipeshkëv i Madridit, José Cobo

Përfundon faza dioqazane e lumturimit dhe e shenjtërimit të Carmen Hernández-it
Seminari Redemptoris Mater i Madridit priti mbylljen e fazës dioqezane të lumturimit të shërbëtores së Hyjit Carmen Hernández, bashkënismëtare e Ecjes Neokatekumenale, së bashku me Kiko Arguello-n. Kardinali Arqipeshkëv i Madridit, José Cobo, kryesoi kremtimin në të cilin ishin të pranishëm dhjetë ipeshkvij, si dhe delegati për Çështjet e Shenjtorëve të arqidioqezës së Madridit, Alberto Fernández.
Më shumë se 500 vëllezër të Ecjes së Madridit, ndër të cilët një përfaqësi e bashkësive të para të Ecjes që kanë lindur në kryeqytet 60 vjet më parë. Gjithashtu edhe bashkësi nga Zamora, Barcelona, Parisi, Ivrea, Roma, Firenze dhe Lisbona.
Morën pjesë gjithashtu shumë katekistë itinerantë nga e gjithë bota, nga Italia, duke kaluar nëpër Australi, Shtetet e Bashkuara, Francë, Gjermani, Kinë, Rusi, Kazakistan, Burkina Faso, Peru dhe Hollandë.
Të pranishëm ishin edhe përgjegjësja e Çështjeve të Shenjtërve të Konferencës Ipeshkvnore, Lourdes Grosso, dhe familjarë të Carmen Hernández-it.

Aktin nisi me një përgjigje para varrit të Carmen-it, me Arqipeshkvin e Madridit dhe me ekipin ndërkombëtar të Ecjes.
Më pas, në kopshtin e Seminarit, postulatori Carlos Metola falënderoi të gjithë për praninë e tyre dhe theksoi se “fama e Carmen-it është në rritje”. Janë tashmë 120.000 vetë nga 107 vende që kanë vizituar dhe janë lutur para varrit të shërbëtores së Hyjit. Kanë kaluar gjithashtu 3.000 meshtarë dhe 70 ipeshkvij.
“Sot ka mbërritur gjithashtu dëshmia e një personi që nuk është në Ecje. Shtatzënë, po humbiste fëmijën dhe një shoqe i kishte folur për Carmen dhe i kishte thënë se ishte “eksperte për shtatzënitë”. Ajo iu lut Carmen-it ndërsa po shkonte në spital dhe në fund fëmija shpëtoi”.


Metola shpjegoi se “me dokumentet dhe dëshmitë kemi ndjekur 52 vjet jetë ungjillore të vrullshme të Kiko-s dhe Carmen-it”. “Sa udhëtime kanë bërë! Sa bashkëjetesa! Kanë dhënë jetën dhe janë konsumuar për Ungjillin”.
Postulatori shpjegoi se në të gjitha dokumentet dallohet qartë “dashuria e Carmen-it për Eukaristinë, për Virgjërën Mari dhe një zell i veçantë”.
Dokumentacioni i mbledhur, i cili tani do të dërgohet në Romë për të vazhduar procesin, përbëhet nga 70 kuti, me një peshë prej 6,8 kg secila dhe secila përmban 1200 faqe.
Fjalimi i Kiko Argüello-s

Më mallëngjen e më emocionon mundësia për të jetuar këtë ditë në të cilën mbyllet faza dioqazane e procesit të shenjtërimit të Carmen Hernández-it. Është një ditë e madhe për të gjithë Ecjen Neokatekumenale; një festë e madhe për të gjithë vëllezërit.
Dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë bashkëpunuar duke studiuar dhe paraqitur dokumentacionin e gjerë mbi Carmen-in. Kam ndjekur procesin e mbledhjes së materialit gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit dhe e di se është bërë me seriozitet. Marrim vazhdimisht lajme për hire të marra falë ndërmjetësimit të saj dhe është një arsye gëzimi të dimë se çdo ditë ka më shumë vëllezër dhe njerëz të tjerë që nuk i përkasin Ecjes dhe që kërkojnë ndërmjetësimin e saj, dhe jo vetëm të rritur që e kanë njohur, por edhe shumë të rinj. Për këtë jam mirënjohës ndaj të gjithëve që me punën e tyre po bëjnë që Carmen të njihet edhe më shumë.
Kisha, me këtë Çështje Lumturimi, po vlerëson virtytet e Carmen-it. Mund të them se Carmen ka menduar gjithmonë për të mirën e Kishës. Çfarë dashurie kishte për Papët, për ipeshkvijtë, për meshtarët! Pa të, Ecja Neokatekumenale nuk do të kishte ekzistuar. Çfarë ndihme e jashtëzakonshme ka qenë Carmen për Ecjen! Carmen na solli pasuritë e Koncilit II të Vatikanit, të Vigjiljes Pashkvore, të rrënjëve hebraike të krishterimit. Ishte një teologe në kërkim dhe hulumtim të vazhdueshëm. Ka vënë inteligjencën e saj të jashtëzakonshme shpirtërore në shërbim të Ecjes, dhe ka ditur të na transmetojë me entuziazëm risinë e Koncilit. E gjithë ekzistenca e saj është dalluar nga dashuria e saj për Krishtin dhe për misionin e Kishës.
Zoti na ka bashkuar, mua dhe Carmen-in, për më shumë se 50 vjet, në një mision ungjillëzimi të mrekullueshëm, fryt i Koncilit II të Vatikanit. Një vepër e Shpirtit Shenjt që nisi në dioqezën e Madridit mes të varfërve të kasolleve të Palomeras Altas, dhe dëshmitarë të të cilit kemi qenë Carmen dhe unë. Një nismë e krishterë që Selia e Shenjtë e miratoi përfundimisht në vitin 2008, dhe që ka shpëtuar mijëra familje, dhe i ka dhënë shumë thirrje Kishës.
Carmen donte t’ua shpallte Ungjillin të varfërve, prandaj kishte punuar në lagjet më të varfra të Barcelonës, prandaj donte të shkonte mes minatorëve të Bolivisë… por Zoti po e priste në Palomeras. Në kasolle pa se Jezu Krishti u shërbente të varfërve, prandaj vendosi të qëndronte atje. Por derisa u shfaq arqipeshkvi i Madridit, D. Casimiro Morcillo, ajo nuk vendosi të bashkëpunonte përfundimisht me mua, sepse e donte Kishën në mënyrë të pakushtëzuar.
Ajo e donte Jezu Krishtin me pasion. Pas suksesit të Ecjes fshihet dashuria e fshehtë që ajo kishte për Krishtin. Grua vërtet e jashtëzakonshme, me një bujari të jashtëzakonshme, ajo e mohoi veten e saj për të më shfaqur mua. Ajo pranoi të qëndronte në plan të dytë për të mirën e vëllezërve të Ecjes. Mund ta lumturonin qoftë edhe vetëm për këtë.
Së bashku me vëllezërit e Ecjes Neokatekumenale, e falënderoj Zotin dhe Kishën për këtë ditë. Sot i vëmë në duart e Nënës sonë Kishës këtë fazë të re romane të procesit të Lumturimit dhe të Shenjtërimit të Carmen Hernández-it.
Kiko Argüello
SRM Madrid, 2 qershor 2026
Pasi u thirr Shpirti Shenjt duke kënduar “Eja, o Shpirt Krijues”, eventi vazhdoi me paraqitjen e akteve të procesit dhe firmosjen e dekretit të mbylljes, si dhe emërimin dhe betimin e transportuesit të akteve.
Anëtarët e tribunalit dhe postulatori, Charlie Metola, bënë betimin se e kishin kryer detyrën e caktuar dhe se kishin ruajtur sekretin zyrtar.



Mbyllja dhe vulosja e kutisë së fundit të arketipit – dokumenteve – u mbyll me një duartrokitje të fortë nga ana e të pranishmëve, të cilët kënduan në vazhdim këngën “Janë të këputura lidhjet e mia”, e lidhur me historitë e Carmen-it dhe muzika e së cilës është e Arguello-s.
Para se të mbyllej ngjarja, u lexua akti i mbylljes, dorëzimi i akteve te transportuesi dhe letra që kardinali Kevin Farrell, prefekt i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, dërgoi me rastin e kësaj ngjarjeje.


Qyteti i Vatikanit, 27 maj 2026
Ecja Neokatekumenale
Akti i mbylljes së fazës dioqazane të çështjes së lumturimit dhe të shenjtërimit të shërbëtores së Hyjit, Carmen Hernández Barrera
Madrid, 2 qershor 2026
Mesazhi i Kardinalit Kevin Farrell
Shkëlqesia Juaj, Kardinali Cobo Cano,
Shkëlqesi,
Të dashur Kiko, P. Mario dhe María Ascensión,
Të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin,
dëshiroj të bashkohem me gëzimin tuaj për përfundimin e fazës dioqazane të çështjes së lumturimit dhe të shenjtërimit të shërbëtores së Hyjit, Carmen Hernández Barrera.
Është shkak ngushëllimi dhe inkurajimi të madh për të gjithë ata që i përkasin Ecjes Neokatekumenale të shohin se nismëtarja e kësaj Ecjeje, së bashku me Kiko Argüello-n, është njohur nga Kisha lokale e Madridit si një shembull i jetës së krishterë, feje, dashurie për Kishën, ushtrimi i qëndrueshëm i virtyteve dhe zelli për ungjillëzimin.
Janë të shumta dëshmitë e mbledhura në gjithë këta vite që dëshmojnë famën e shenjtërimit të cilës i gëzohet Carmen mes njerëzve që e kanë njohur, në pjesë të ndryshme të botës ku e kanë çuar udhëtimet e saj të shumta misionare.
Shumë kujtojnë prej saj karakterin e saj të sinqertë dhe të paaftë për t’u shtirur, dashurinë e saj për lutjen dhe liturgjinë, prirjen e saj për reflektim teologjik, njohjen e saj të ngushtë me Shkrimet e Shenjta, dashurinë e saj atërore për Papët, vetëdijen e gjallë të centralitetit të misterit pashkvor në ekzistencën e krishterë, nderimin për vendet e shenjta të lidhura me misteret e jetës tokësore të Jezusit, dashurinë e saj të butë dhe të pasionuar për Krishtin, të konsideruar si dhëndri i shpirtit të saj. Këto janë aspekte të mendimit të saj, të ndjeshmërisë së saj fetare dhe të fesë së saj të kulluar që përbëjnë një pasuri shpirtërore që të gjithë anëtarët e Ecjes Neokatekumenale dhe jo vetëm ata, duhet ta ruajnë, ta thellojnë dhe ta imitojnë.
E shoqëroj me lutjen time fazën vijuese të çështjes së lumturimit, e cila fillon tani, me dëshirën që të gjithë anëtarët e Ecjes, duke ndjekur shembullin e Carmen-it, të rriten në shenjtëri, në dashuri birnore ndaj Kishës dhe në vrull misionar, me qëllim që të japin fryte të bollshme farërat e shumta që Carmen ka mbjellë në apostolatin e saj bujar të formimit për jetën e krishterë.
Bashkohem me ju për t’i dhënë falënderime Zotit për dhuratën e Carmen-it dhe ju bekoj me zemër.
Kardinali Kevin Farrell
Prefekt
Arqipeshkvi i Madridit e mbylli kremtimin duke pranuar se “sot mbyllim fazën dioqazane që fillon gjithmonë dhe fillon në secilin prej nesh dhe që nga pagëzimi vazhdon të lërë gjurmën e saj”. “Kemi pasur nevojë – vazhdoi – për një moment reflektimi, dëgjimi dhe falënderojmë gjithashtu të gjithë ata që bënë ndërhyrjet”.
“Tani vendosim veten tonë duart tona në duart e Zotit për fazën vijuese; i vëmë veten në shoshitjen e Zotit” shtoi Kardinali që falënderoi përkushtimin e atyre që morën pjesë në proces. “Shihet se ka dashuri, devotshmëri dhe dhurim në jetën e Kishës. Kështu formojmë bashkësi dhe bëjmë që të rritet jeta e Kishës. Sikur të mundnim të vazhdonim të hidhnim hapa për të jetuar shenjtërinë, sepse kremtojmë që shenjtëria na rrethon, ecën me ne dhe është një proces në të cilin jemi të thirrur”.
“Faleminderit Kiko, Mario, Asension dhe të gjithë ju që na keni mirëpritur. Është falë tyre që dëshirojmë që shenjtëria të vazhdojë të jetë flamuri i Kishës sonë” përfundoi ai para se të jepte bekimin dhe të mbyllte kremtimin me këngën “E bekuar je ti, Mari”.














