
Mbyllja e procesit dioqezan të lumturimit të Carmen Hernández
Më 2 qershor 2026, në Seminarin Dioqezan Misionar Redemptoris Mater të Madridit, pikërisht përballë altarit të vogël që ruan eshtrat e Carmen Hernández-it u zhvillua një akt me një rëndësi të veçantë: u shpall zyrtarisht e përfunduar faza dioqezane e procesit të kanonizimit të Shërbëtores së Hyjit. Në këtë ngjarje ishin të pranishëm Arqipeshkvi i Madridit, Kardinali José Cobo, shumë ipeshkvij, Kiko, At Mario dhe Ascensión, më shumë se 500 itinerantë që vinin nga e gjithë bota, si edhe disa vëllezër nga bashkësitë neokatekumenale të Madridit. Të pranishëm ishin gjithashtu Don Alberto Fernandez, Delegati Ipeshkvor për Çështjet e Shenjtërve të Dioqezës së Madridit, si dhe anëtarët e gjykatës që kanë ndjekur fazën dioqezane të procesit të Carmen-it.
Në përshëndetjen e tij, Kiko vlerësoi punën e bërë nga gjykata dioqezane gjatë këtyre dhjetë viteve, duke mbledhur dëshmi, shkrime dhe dokumente të tjera të Shërbëtores së Hyjit. “Unë mund të them, shtoi ai, se Carmen-i gjithmonë ka menduar për të mirën e Kishës. Sa dashuri kishte ajo për Papët, për Ipeshkvijtë dhe për Meshtarët! Për më tepër, pa të nuk do të kishte ekzistuar Ecja Neokatekumenale. Sa ndihmë e madhe ka qenë Carmen-i për Ecjen. Ajo na solli pasuritë e Koncilit II të Vatikanit, të Vigjiljes Pashkvore, të rrënjëve hebraike të krishterimit. Ajo ka qenë një teologe në kërkim të vazhdueshëm. Me bujari e ka vënë inteligjencën e saj të jashtëzakonshme shpirtërore në shërbim të Ecjes, duke na përcjellë me entuziazëm risinë e Koncilit. E gjithë ekzistenca e saj ishte e shënuar nga dashuria e saj për Krishtin dhe për misionin e Kishës”.
Dhe duke vazhduar, Kiko theksoi se pas vetë “frytshmërisë së Ecjes” qëndron dashuria e pakushtëzuar që ajo kishte për Jezu Krishtin: “Një grua vërtet e jashtëzakonshme, me një bujari të madhe: ka mohuar veten për të më vënë mua përpara. Pranoi të qëndronte në plan të dytë për të mirën e vëllezërve të Ecjes. Vetëm për këtë do të meritonte të shpallej e lumë”.
Është lexuar përfundimi i punimeve dhe është nënshkruar dekreti i mbylljes së kësaj faze, me emërimin e “bartësit” të këtyre Akteve drejt Romës, në Dikasterin për Çështjet e Shenjtërve. Anëtarët e gjykatës dioqezane u betuan se e kishin kryer me kujdes detyrën e marrë dhe se do të ruanin sekretin zyrtar. Më pas u vulos me dyllë të kuq kutia e fundit nga 70 kutitë, brenda të cilave janë mbledhur të gjitha dokumentet e shkruara, për t’ia dorëzuar Dikasterit në Romë.

Kardinali Kevin Farrell, Prefekti i Dikasterit “Laikët, Familja dhe Jeta”, dëshiroi të ishte i pranishëm në këtë akt me një mesazh, në të cilin kujtoi figurën e Carmen-it si atë të një gruaje të sinqertë dhe pa shtirje, dashurinë e saj për lutjen dhe Liturgjinë, afërsinë e saj me Shkrimin e Shenjtë, dashurinë e saj për Papët dhe vetëdijen e gjallë për qendrën që për të kishte Misteri Pashkvor në jetën e krishterë, nderimin për vendet e shenjta dhe, mbi të gjitha, “dashurinë e butë dhe të zjarrtë për Krishtin, të konsideruar si dhëndri i shpirtit të saj”.
Përfundimi i kësaj faze të procesit ka qenë, sigurisht, një akt formal, por me një domethënie të madhe, siç u theksua nga Kardinali Cobo në përshëndetjen e tij, sepse është Dioqeza ajo që njeh në një prej anëtarëve të saj veprën e Zotit dhe përgjigjen e saj bujare.
Shënime të shkurtra biografike
Të mallëngjen të shkruash për Carmen-in. Jeta e saj është kaq e pasur, e mbushur me misterin e saj si grua, me aftësitë e saj për studim, me dhuntitë e saj si kërkuese, si shkencëtare, me njohjen e Etërve të Kishës, të katekumenatit të lashtë, të botës, të kulturës hebraike; kaq e pasur me dashuri për Shkrimin e Shenjtë, për Liturgjinë, me dashuri për Papët (nuk humbet leximin e asnjë ndërhyrjeje në faqet e Osservatore Romano), aq e mbushur me Hyjin, sa mbetesh i habitur, i mahnitur, i tërhequr pas figurës së saj dhe nuk di nga t’ia fillosh nëse dëshiron të bësh një paraqitje të shkurtër të saj.
Kiko ka shkruar mirë për të, duke paraqitur Ditarët e saj:
“Tani i kuptoj më mirë shumë fryte të Ecjes. Hyji na dha një motër me një shkallë shenjtërie të veçantë dhe nuk mund të ishte ndryshe, duke pasur parasysh rëndësinë e misionit që Hyji na ka besuar. Duke lexuar dashurinë e saj për Krishtin, ndihem i vogël dhe i varfër dhe nuk di si ta falënderoj Hyjin për hirin e jashtëzakonshëm që pati dhënë Carmen-in si shoqe në mision. Pesëdhjetë vjet pa asnjë çast pushimi: udhëtime, shqyrtime, vizita në shumë bashkësi në Madrid, Zamora, Barcelonë, Paris, Romë, Firence, Ivrea… Duke dëgjuar e dëgjuar çdo vëlla për jetën e tij, vuajtjet e tij dhe historinë e tij, duke e ndriçuar atë në dritën e fesë, të kryqit të lavdishëm të Zotit tonë Jezu Krisht”.

Carmen Hernández Barrera lind në Ólvega (Soria, Spanjë), më 24 nëntor 1930, bijë e Antonio Hernández Villar dhe e Clementa Barrera Isla, e pesta nga 12 fëmijët (3 prej tyre vdesin ende të vegjël). Ajo pagëzohet më 28 nëntor në kishën famullitare të Santa María la Mayor në Ólvega. Në moshën tre muajshe zhvendoset me familjen në Tudela dhe më vonë në Madrid. Ajo studion dhe përfundon studimet në Shkencat Kimike në Universidad Complutense të Madridit, me rezultate të shkëlqyera. Më pas punon në industri të ndryshme familjare, derisa në vitin 1954 braktis karrierën premtuese që i ati dëshironte për të, për të ndjekur Krishtin, duke hyrë në Institutin e Misionareve të Krishtit Jezus, të themeluar pak kohë më parë në Spanjë, dhe do të qëndrojë aty deri në vitin 1962, kur duhet ta lërë Institutin në bindje ndaj eproreve të saja, të cilat nuk dëshironin ta pranonin për shpalljen solemne të kushteve rregulltare. Arsyeja: ajo dhe disa nga motrat e saj në Institut nuk konsideroheshin të afta për të ndjekur karizmën e Institutit. Në dritën e mësimeve mbi Misterin Pashkvor të liturgjistit spanjoll, At Farnés, i cili do ta shoqërojë gjatë një pjese të madhe të jetës së saj, ajo e jeton këtë periudhë si një thirrje të Zotit për të ofruar Isakun e saj, thirrjen për mision që ajo e kishte ndier që në rininë e saj.

Pas një shtegtimi të gjatë në Izrael, në gjurmët e ngjarjeve ku u përmbush Fjala e Hyjit, gjë që do t’i japë asaj një ndikim ekzistencial të kësaj Fjale, ajo kthehet në Spanjë për t’u bashkuar me bashkëmotrat e saj në një fondacion të ri që dëshironin ta realizonin mes minatorëve të Bolivisë… Por Zoti e drejton edhe një herë jetën e saj drejt periferisë së Madridit, mes banorëve të barakave të Palomeras Altas, ku Kiko, së bashku me një motër të saj, po fillon diçka të re.
Kur më 28 gusht 1965, Guardia Civile fillon shkatërrimin e barakave të Palomeras dhe fillon pikërisht me barakën e Carmen-it, Kiko bind Arqipeshkvin e atëhershëm të Madridit, Imzot Casimiro Morcillo-n, që të vijë për t’i ndihmuar, ndalon shkatërrimin, njeh bashkësinë e vogël që Zoti po ndërton mes banorëve të barakave, mbetet i mahnitur prej saj dhe – ai që vinte nga Koncili II i Vatikanit, ku kishte marrë frymën e gjithë ripërtëritjes që po ndodhte në Kishë – e kupton rëndësinë e saj dhe dhuratën e Hyjit që mund të ishte për Kishën: u lejon atyre të kremtojnë Eukaristinë në të dyja trajtat dhe të bëjnë jehonën e Fjalës. Për Carmen-in, të shohë Arqipeshkvin aty mes banorëve të barakave duke bekuar këtë farë të vogël, është shenja kishtare që e bind ta kushtojë jetën e saj, së bashku me Kiko Argüello-n, duke formuar atë rrugëtim të Nxënies së Krishterë që do të bëhet Ecja Neokatekumenale.


Dhe jeta e Carmen-it merr tani këtë drejtim përfundimtar: thirrja e saj për mision bëhet një kushtim i plotë, duke ia kushtuar frytin e të gjitha studimeve të saj, gjithë përshpirtërinë e saj të madhe, gjithë feminitetin e saj formimit të një itinerari neo-katekumenal – neo-katekumenal sepse nuk drejtohet në mënyrë të drejtpërdrejtë për përgatitjen pagëzimore, si në Kishën e lashtë, por për rilindjen dhe rritjen në fe të personave tashmë të pagëzuar.
Kjo është, në një përmbledhje të shkurtër, jeta e Carmen-it, në dy etapa të mëdha: fëmijëria dhe rinia (deri në moshën 30-vjeçare), si përgatitje dhe më pas, së bashku me Kiko Argüello-n, pa të cilin, si plotësim i domosdoshëm, ajo nuk do të kishte mundur ta realizonte, si zbatim dhe vënie në praktikë të asaj “mënyre të nxënies së krishterë” që përbën Ecjen Neokatekumenale.
Dhurata e Carmen-it për Kishën
Më 5 maj 2018, Papa Françesku e përkufizonte Ecjen Neokatekumenale si “një dhuratë të madhe për Kishën e kohës sonë”. Në këtë mënyrë ai pohonte në mënyrë jo të drejtëpërdrejtë se edhe nismëtarët e kësaj “mënyre të nxënies së krishterë” janë një dhuratë e madhe për Kishën.


Dhe Carmen-i ka qenë vërtet një dhuratë e madhe e Hyjit për Kishën e kohës sonë. Shpallja e Papës Shën Gjonit XXIII, i cili më 25 janar 1959 shpalli hapjen e Koncilit II të Vatikanit – si përgjigje e Shpirtit Shenjt ndaj sfidës epokale të kohës sonë, që kërkon të “fusë energjinë e përjetshme, gjallëruese, hyjnore të Ungjillit në venat e asaj që sot është bashkësia njerëzore” – ka vendosur këtë ngjarje në qendër të jetës së Kishës së shekullit XX. Dhe e gjithë jeta e Carmen-it lëviz në shtratin e Kushtetutave Konciliare që përbëjnë boshtin e këtij eventi: “Lumen gentium”: Krishti, “drita e popujve”, e vendos Kishën e tij si bashkësi të krishterë në mision në botë; “Sacrosanctum Concilium”: ripërtërin Liturgjinë, duke u nisur nga Pashka dhe nga kremtimi i Eukaristisë; “Dei Verbum”: i rikthen Kishës Fjalën e Hyjit, si llambë për hapat tanë dhe dritë në ecjen tonë (krh. Ps 119,105); “Gaudium et spes”: “vetëm në misterin e Fjalës së mishëruar gjen dritën e vërtetë misteri i njeriut” (GS 22).
Duke lexuar jetën e Carmen-it, mbetesh i mahnitur nga mënyra se si Hyji, nëpërmjet këtij rrugëtimi konciliar, ka ndërtuar etapat e ekzistencës së saj: thirrja misionare që e ndriçon dhe e formon që nga fëmijëria, pa i dhënë pushim, duke e shkëputur nga familja e saj dhe nga ëndrra e saj për ta vënë në shërbim të Kishës; misteri i Pashkës që e bashkon thellësisht me mundimin e Zotit – deri në flijimin e Isakut të saj – në një kenosi (zbritje) të pa fund, për ta bashkuar më pas me ngjalljen dhe ngjitjen në qiell të Zotit të saj, të jetuara në mënyrë ekzistenciale; dashuria për Fjalën e Hyjit që, fillimisht, e bën të përshkojë rrugët e Tokës së Shenjtë dhe më pas të zbulojë të gjithë historinë e shëlbimit, nga Abrahami deri te Zbulesa në shërbim të katekezës, për t’i çuar të gjitha bashkësitë në kontakt me Tokën e Zotit; me një afërsi intime jete me Jezu Krishtin, Zotin e jetës së saj: kerigma e bërë mish në historinë e saj për t’u sjellë si lajm i mirë botës. Dhe si vulë e gjithë kësaj, një dashuri për Kishën – veçanërisht për Papën – që të mahnit dhe të prek thellë.

Kardinali Antonio Maria Rouco, Arqipeshkvi emerit i Madridit, në hyrjen e biografisë së parë të Carmen-it, të përgatitur nga A. Cayuela, ka shkruar:
“Carmen Hernández Barrera ka qenë një grua me një personalitet të fortë dhe të pathyeshëm, një e krishterë ‘e përgatitur dhe e gatshme’ me një prej atyre charismata clarissima (‘karizma të jashtëzakonshme’, LG 12), për të kontribuar në ripërtëritjen dhe në ndërtimin gjithnjë e më të madh të Kishës në periudhën historike të Koncilit II të Vatikanit, në ndjekje besnike dhe të bindur ndaj doktrinës së tij dhe ndaj parimeve të tij kishtare, shpirtërore dhe baritore, të drejtuara drejt një ‘rregullimi’ (një ‘përditësimi’) të një ungjillëzimi të ri të njeriut dhe të botës bashkëkohore”.
Edhe Kardinali Ricardo Blázquez, tashmë Arqipeshkvi i Valladolidit dhe President i Konferencës Ipeshkvnore Spanjolle, i cili i ka njohur personalisht këto dy figura, bën një lexim të çmuar të jetës së Carmen-it, në lidhje me jetën e Kiko-s:
“Edhe pse është Kiko ai që flet gjithmonë si katekist, ndërsa Carmen-i pothuajse gjithmonë dëgjon, herë duke u lutur, herë e shqetësuar, duke ndërhyrë herë pas here me disa reflektime, ne mendojmë se përmbajtja e katekezave dhe zhvillimi i ‘etapave të veçanta’ dhe i ‘riteve’, po ashtu edhe organizimi i ungjillëzimit nëpërmjet katekistëve itinerantë ose lokalë dhe familjeve në mision, duhet t’i atribuohen së bashku ekipit nismëtar. Secili ka sjellë aty dhuratat e marra nga Hyji. Pa kërkuar të kuptojmë veprimin individual të secilit, megjithatë na tërheq vëmendjen fakti që të dy kanë mbetur besnikë dhe të bashkuar në përmbushjen e misionit të besuar atyre nga Hyji, domethënë, të hapnin në Kishën e sotme një katekumenat për të pagëzuarit, shumë prej të cilëve ende nuk kanë marrë Nxënien e Krishterë… Të dy, Kiko dhe Carmen-i, pavarësisht dallimeve dhe ndonjëherë edhe mosmarrëveshjeve, kanë kuptuar se, përtej kufizimeve të tyre, nuk mbetej gjë tjetër veçse t’i besoheshin misionit ungjillëzues. Të dy janë personalitete të forta dhe, megjithëse misioni me kalimin e kohës i ka pastruar, tiparet e tyre të veçanta kanë mbetur gjithmonë të gjalla. Hyji na befason me veprimin e tij që prek zemrën, pavarësisht kufizimeve të lajmëtarëve të mëshirës së tij. Të dy ishin të thirrur në mënyrë të pandashme për të marrë pjesë në vuajtjet për Ungjillin (krh. 2 Tim 1,8-12)”.
Dashuria personale, intime, me Jezu Krishtin
Citimi, edhe pse i gjatë, ndihmon për të kuptuar – veçanërisht për ata që i kanë njohur personalisht – marrëdhënien e thellë, madje edhe intime, do të thosha, nëse kuptohet mirë kuptimi shpirtëror i kësaj fjale, por ajo që për Carmen-in nuk mund të heshtet është marrëdhënia e saj personale me Jezu Krishtin. Pa asnjë ekzagjerim, do të doja të thosha marrëdhënien e saj martesore me të, e përbërë nga kohë të gjata lutjeje dhe veçanërisht nga lutja e Kishës: kam vënë re se nga “Ditarët” e saj mund të rindërtohet si të thuash Psalteri i përditshëm, sepse Psalmet e ushqenin çdo ditë; marrëdhënie martesore e përbërë nga një dialog intim, edhe poetik;
Kur gjithçka zhduket në asgjë
Dhe nata është në errësirë,
Shpirti ushqehet me asgjënë.
Zot, ku? Si? Kush je Ti?
Ti je një Hyj misterioz, i fshehur,
Dhe mungesa jote e bën të pamundur gëzimin…
Jezus, Jezusi im,
Të thërras Ty natë e ditë.
Eja, eja,
Dashuri e rinisë sime
Dhe e shpresës sime.
Më mbush me energji,
Sepse si plumb po zhytem në asgjë.
Eja, Jezus. Të dua.
Shpresoj vetëm në Ty.
Ki mëshirë për
Pafuqinë time të plotë,
Për asgjënë time rrënjësore.
Eja, eja.
Ti. Je e Vërteta, i Vetmi. Ti ekziston!
(3 qershor 1979).

Dhe mund të vazhdohet kjo këngë që përfshin tërë jetën e saj. Edhe kur, në vitet e fundit, vuajtja u bë një gjemb i përditshëm, nuk i mungoi lutja e saj, kjo këngë dashurie:
Jezus, është sëmundje, është nata?
Janë komplekset “e lindura”.
Çfarë po më ndodh, o Zot?
Jam e sëmurë.
E kaloj gjithë ditën në një vuajtje të gjallë.
Jezus, zgjohem e trishtuar
Dhe me frikën dhe në asgjë.
Gjithçka, përse?
Jezus, thuaji shpirtit tim se je Ti,
që je pas gjithë kësaj.
Jezus, sa misterioze është jeta,
sa misteriozë janë njerëzit.
Jezus, a është e mundur?
Eja, Zot, ki mëshirë për mua,
ndriço fytyrën tënde, eja.
Nata.
Asgjë nuk më intereson dhe asgjë nuk shoh.
Pa Ty, ekziston vetëm asgjëja.
Pa Ty, si është e mundur gjithçka?.[1].
Jezus, Ti je i forti,
të tuat janë nismat dhe fitorja,
ti je dashuria.
Jezus, nëse Ti do të vije në natën tënde
në këtë natë,
nëse do të bëheshe vërtet realitet,
Jezus, do të shihje ëndrra fëmijërie
dhe komplekse të adoleshencës.
Ku janë, Zot, ato dashuri kaq të zjarrta
me të cilat, në mënyrë të mrekullueshme, më ngushëllove në rini?
Ku fshihesh kur fillojnë të më mungojnë forcat,
kur bie nata dhe jeta shkon drejt perëndimit?
Jezus, eja, nëse gjithçka është e vërtetë
dhe Ti je i pranishëm tek unë si frymë e ëmbël
dhe është e vërtetë e kaluara dhe e ardhmja,
dhe Ti je me mua, më puth Jezus,
dhe nesër do të shkojmë vetëm
në mes të këtij “botë konsumi” që të feston,
Jezus, le të ikim të lirë,
të zgjidhur, të lumtur, duke besuar dhe duke dashur njëri-tjetrin,
unë do të të jap nga dashuria jote, me të cilën Ti, i ëmbël dhe butësisht, do të vish tek unë,
eja, Jezus, bëje jetën të vërtetë,
Jezus, bëje atë të përjetshme.
Më thuaj kush është njeriu,
Jezus, Zoti im.
(19 dhjetor 1971, e diel) [2].
Për Carmen-in më mbeten këto bindje, të cilat mund t’i hapin asaj rrugën jo vetëm drejt shenjtërisë, por edhe për t’u bërë “Mësuese e Kishës”: dashuria dhe depërtimi teologjik i Fjalës së Hyjit, dashuria e saj për Liturgjinë, për Pashkën, dëshira e saj për ta sjellë Pashkën në zemrën e Kishës, dashuria e saj për Izraelin, për zbulesën e Hyjit ndaj këtij populli dhe pasioni i saj për gruan, për qenien e saj grua, që ka bërë të mundur që mijëra gra të vlerësojnë feminilitetin e tyre, duke u pajtuar me historinë e tyre martesore ose duke i entuziazmuar për jetën soditëse.
Carmen-i, një grua e kohës sonë që Zoti e deshi tërësisht për vete, që ka shënuar këtë çast të historisë së Kishës, së bashku me Kiko-n, duke krijuar një mënyrë dioqezane të nxënies së krishterë që po jep shumë fryte kthimi dhe misioni; një grua që të gjithë dëshirojnë ta shohin së shpejti të kurorëzuar dhe të ngritur në lavdinë e altarëve, në shenjtëri.
Don Ezechiele Pasotti



[1]
Le të shërbejnë si shembull këto shënime të para nga ditarët e saj personalë, të botuara tashmë, shënime të shkruara midis janarit dhe shkurtit të vitit 1979. Krh. C. HERNÁNDEZ, Diarios 1979-1981, nr. 1.11.21.35.38.
[2]
Documentos Carmen Hernández, Vol. 32, Diarios íntimos y escritos 1970-1971, 19/12/1971.









