La Serva di Dio Carmen Hernández nel luogo della Visitazione della Vergine Maria alla sua parente Elisabetta. Ein Karem, Israele, 7 ottobre 1963

Përvjetori i dhjetë i vdekjes së Carmen Hernández-it.

Më 19 korrik 2016 ishte një nga ditët më të nxehta të asaj vere në Madrid. Carmen Hernández, pas një sëmundjeje të gjatë, kishte hyrë një ditë më parë në çastet e fundit të jetës së saj, në gjendje kome. Kiko Argüello mbërriti rreth mesditës për ta parë para se të ndërronte jetë dhe tha: “Më mallëngjeu shumë fakti që ajo priti derisa unë mbërrita, e putha dhe i thashë: ‘Guxim’, e pasi i dhashë këtë puthje të vogël, ajo ndërroi jetë”. Ishte ora 16:45. Edhe at Mario Pezzi mbërriti atë pasdite.

Me t’u përhapur lajmi, ne që e kishim njohur Carmen-in prej shumë vitesh, kemi hyrë në një gjendje, jo aq tronditëse, siç ndodh kur vdes një njeri i dashur, por më tepër në një gjendje paqeje e qetësie, sepse Carmen-i kishte arritur qëllimin, pushimin e amshuar pranë Zotit, për të cilin na kishte folur kaq shumë herë.

Dy ditët vijuese, ditë dhe natë, qindra njerëz qëndruan zgjuar me turne dhe u lutën pranë shtëpisë së saj në rrugën Samaria, pranë trupit të saj . Kjo solli ngushëllim të madh për familjen e saj, për të afërmit dhe për anëtarët e bashkësive neokatekumenale dhe të famullive. Po, largimi i saj na mbushi me trishtim, por njëkohësisht u shfaq një “gëzim dhe shpresë e amshuar” ngaqë ishim të vetëdijshëm se Carmen-i ishte ende gjallë; tani në shtëpinë e Atit, me “të Dashurin” e saj, siç e përsëriste në ditarët e saj, pothuajse si një refren, duke iu referuar Jezusit: “Jezusi im, dashuria ime, i Dashuri im, të dua”.

Duke e kthyer vështrimin pas në atë çast dhe duke soditur ngjarjet e këtyre dhjetë viteve të fundit, ndiejmë një lloj marramendjeje, sepse para nesh shfaqet një sasi e jashtëzakonshme dokumentesh: letra, ditarë, fletore, axhenda të vogla, regjistrime audio dhe transkriptime të katekezave e tërheqjeve shpirtërore, udhëtime, dëshmi e shumë të tjera. Sa jetë intensive dhe të pasur shpirtërisht ka jetuar Carmen Hernández! Edhe më intensive u bë kur Zoti e bashkoi, në misionin e saj, me Kiko Argüello-n! Gjatë këtij dhjetëvjeçari që nga vdekja e saj, para syve tanë është shfaqur një mozaik i mrekullueshëm dokumentesh, si pjesë të çmuara, që pasqyrojnë “planin e patregueshëm artistik” që Zoti ka realizuar në jetën e saj dhe në mënyrën e nismës së krishterë që është Ecja Neokatekumenale.

Pak muaj pas vdekjes së saj, filloi mbledhja e të gjitha dokumenteve që lidheshin me jetën e saj. Çfarë befasie! Carmen kishte ruajtur në një valixhe lëkure dhe në raftet e bibliotekës së saj çdo lloj dokumenti, u shfaqën të gjithë ditarët e saj, në të cilët shënonte, ditë pas dite, atë që kishte bërë, atë që liturgjia i kishte folur dhe mendime të tjera. Në atë valixhe ndodheshin gjithashtu qindra letra të shkruara prej saj ose të marra në emrin e saj, disa të renditura me kujdes; përveç tyre, u gjet një numër i madh shënimesh dhe skemash për katekezat, shënime me përmbajtje të lartë teologjike.

Ndërhyrjet e saj në mbledhje dhe bashkëjetesa, parathëniet dhe katekezat e transkriptuara gjatë gjithë viteve të ungjillëzimit iu shtuan sasisë së jashtëzakonshme të dokumentacionit që filluam ta mblidhnim dhe ta sistemonim.

Vizitat te varri i saj, që nga viti në vit u bënë gjithnjë e më të shumta, si edhe shfaqja e njerëzve që dëshironin të tregonin dhe të shkruanin përvojën e tyre të njohjes së Carmen-it, hapën një burim të ri materiali: dëshmitë dhe deklaratat e atyre që e kishin njohur dhe që ishin mirënjohës për jetën e saj. Së fundi, pati edhe njerëz që filluan t’i luteshin Hyjit, me ndërmjetësimin e Carmen-it, në situata sëmundjeje, vuajtjeje, dështimi ose në vështirësi të vogla të jetës.

E gjithë kjo famë shenjtërie dhe famë e shenjave që i atribuoheshin asaj, na shtyu t’i kërkonim Arqidioqezës së Madridit të shqyrtonte nëse kishte ardhur koha për të hapur Çështjen e Lumturimit dhe të Shenjtërimit të saj. Meqenëse përgjigjja që morëm ishte qartësisht pozitive, vazhduam edhe më me shumë entuziazëm rrugën që kishim nisur. Kjo nënkuptonte mbledhjen, sistemimin, vendosjen e përmbajteve, klasifikimin dhe arkivimin e gjithçkaje që kishte të bënte me Carmen Hernández-in dhe me veprën që Hyji kishte kryer përmes saj. Nuk ishte aspak një ndërmarrje e lehtë! Megjithatë, vazhduam punën. Një grup i vogël njerëzish, krejtësisht në mënyrë vullnetare dhe pa asnjë shpërblim, i është kushtuar këtij misioni në kohën e lirë.

Zhvillimi i këtij punimi ka qenë një detyrë magjepsëse, sepse na ka çuar të zbulojmë shumë aspekte të Carmen-it që i njihnim pak ose që nuk i njihnim aspak:

– Dashuria e saj e thellë për Jezu Krishtin, intimiteti i saj me Të dhe “dialogu” i saj pothuajse i vazhdueshëm me Zotin. Dashuria e saj për Virgjërën Mari, që e kërkonte si nënë. Përshkrimi i ngjarjeve të jetës së saj shfaqet në një këndvështrim teologjik; domethënë Carmen-i kërkonte vazhdimisht të bënte vullnetin e Hyjit, dëshironte të njihte planin e Hyjit për të, në mënyrë që ta përmbushte atë.

– Dashuria e saj për Kishën, afërsia dhe bindja e saj e plotë ndaj Papëve, si edhe ndaj ipeshkvijve dhe meshtarëve. Ajo nuk dëshironte të fillonte asnjë lëvizje të re, as të themelonte një urdhër të ri fetar, as një grup të specializuar në famulli; ajo dëshironte “vetëm Kishën”, të ripërtërinte Kishën, të ripërtërinte fenë e të krishterëve, e cila lind nga pagëzimi. Për këtë arsye, Hyji i dha, së bashku me Kiko Argüellon, dhuratën që të ishte nismëtarja e një Ecjeje të rizbulimit të Pagëzimit.

– Dashuria dhe nevoja për lutjen: Carmen-i luste të gjitha orët e Psalterit, me përkushtim të vërtetë dhe me gëzim. E donte lutjen, dhe ishte mënyra e saj për të shenjtëruar ditën. Mbi të gjitha, i pëlqente Shërbesa e Leximeve, që e quante Lutja e Mëngjesit, që e recitonte në mëngjes, shumë herët, sepse thoshte se psalmet e tij janë “shumë ekzistenciale”. Ajo nuk humbiste kurrë asnjë orë të Liturgjisë së Orëve, as kur ishte duke udhëtuar.

Dashuria e saj për sakramentet, veçanërisht për Eukaristinë, që e merrte çdo ditë, dhe dashuria e saj për Sakramentin e Pajtimit. Carmen-i i kushtoi shumë vite studimit të këtyre dy sakramenteve, duke përdorur librat më të mirë katolikë dhe teologët më të kualifikuar. Ajo u thellua madje edhe në rrënjët hebraike të krishterimit.

Dashuria e saj për Shkrimin e Shenjtë, që e njihte në mënyrë të përsosur, dhe me të cilin kalonte orë e orë të tëra, duke lexuar dhe rilexuar pjesët e tij, duke nxjerrë prej tyre kuptime dhe domethënie të panumërta. Biblat e Carmen-it janë të nënvizuara herë pas here: është mbresëlënëse t’i shohësh se sa janë “të përdorura dhe të nënvizuara”.

– Carmen Hernández ishte një studiuese e vazhdueshme e Fesë katolike, e përkushtuar ndaj studimit të Etërve të Kishës dhe të gjithë Traditës së Magjisterit të Kishës. Bibliotekat e saj përmbanin më shumë se 4.500 libra fetarë dhe qindra revista teologjike. Ajo dëgjonte çdo ditë Radio Vatikanin dhe lexonte Osservatore Romano-n (duke nënvizuar dhe/ose duke prerë artikujt më interesantë), si në botimin e përditshëm italian, ashtu edhe në atë javor spanjoll. Ndiqte me vëmendje të gjitha fjalimet e Papëve.

– Si përgatitje për të qenë misionare, Carmen-i dëshironte të shkonte në pelegrinazh në Tokën e Shenjtë. E bëri për herë të parë në vitet 1963-1964, por u kthye atje shumë herë, sepse e konsideronte të domosdoshme ta shkelte dhe ta njihte” tokën ku Krishti kishte kaluar jetën e Tij tokësore. Për këtë arsye, dashuria e saj e thellë për Vendet e Shenjta dhe njohurinë e saj mbi traditat hebraike dhe festat e tyre liturgjike ua përcolli mijëra e mijëra njerëzve. Ajo thoshte se në Izrael, tokën e popullit të zgjedhur nga Hyji, “Shkrimet hapen, sepse nuk është e njëjta gjë t’i lexosh ato në vendin ku kanë ndodhur ngjarjet”.

– Carmen-i ka nënvizuar, me mënyra të ndryshme, rëndësinë e gruas në Kishë, në familje dhe në shoqëri, sepse Hyji i ka dhënë gruas “fabrikën e jetës”, që është kraharori i saj. Është vendi ku Hyji i jep jetën çdo qenieje njerëzore, unike dhe të papërsëritshme, dhe gruaja e mban në kraharorin e saj dhe i jep “qenien”.

Kishte një dashuri të veçantë për “delet e humbura”, domethënë për njerëzit që vuanin, ose për atë persona që po kalonte një moment të vështirë ose krize; Carmen-i e thërriste dhe e inkurajonte të kthehej te Jezu Krishti nëpërmjet sakramenteve, Fjalës së Hyjit dhe lutjes.

Të gjitha këto realitete që dolën në pah duke parë jetën e Carmen-it dhanë fryt: arqipeshkvi i atëhershëm i Madridit, i cili kishte juridiksionin, pasi ishte dioqeza ku Carmen-i kishte ndërruar jetë, pesë vjet pas vdekjes së saj, kardinali Carlos Osoro, më 19 korrik 2021, pranoi kërkesën për hapjen e Çështjes së Lumturimit dhe Shenjtërimit, të quajtur “Supplex libellus”.

Më pas u krijua një gjykatë dioqezane, e përbërë nga i Deleguari i Ipeshkvinjve për Çështjet e Shenjtërve, at Alberto Fernández, nga Promovusi i Drejtësisë dhe nga dy Notere, për të filluar mbledhjen e dëshmive të personave më të moshuar që e kishin njohur Carmen-in, në mënyrë që dëshmia e tyre të mos humbiste. Gjithashtu u krijua një Komision Historik, i kryesuar nga at Jesús Sánchez, meshtar dhe famullitar nga Valencia, për të kërkuar dhe mbledhur dokumente që lidhen me Carmen-in në të gjitha arkivat e mundshme. Në total, janë konsultuar 59 seli me koleksione dokumentare47 arkiva dhe biblioteka, të vendosura në 21 qytete të ndryshme të 9 vendeve të ndryshme.

4 dhjetor 2022, Universitetin Francisco de Vitoria të Madridit, u zhvillua akti zyrtar i hapjes së Çështjes së Lumturimit dhe Shenjtërimit të Carmen Hernández, e që nga ai moment u quajt Shërbëtorja e Hyjit. Më pas filluan të dëshmonin më shumë se njëqind persona, të ardhur nga kontekste dhe ambjente të ndryshme të jetës. Dokumentet e shkruara vazhduan të klasifikoheshin, të studioheshin dhe të arkivoheshin. Në total janë mbledhur rreth 2.500 dokumente, me një numër të përgjithshëm prej më shumë se 25.000 faqesh. Kanë filluar botimet mbi jetën e saj: një biografi e parë, shumë e plotë dhe e dokumentuar mirë, tashmë është përkthyer në 12 gjuhë: spanjisht, italisht, frëngjisht, anglisht, polonisht, portugalisht, portugalisht braziliane, gjermanisht, holandisht, rusisht, kroatisht dhe suedisht. Gjithashtu janë botuar edhe 12 libra të tjerë, ndër të cilët ka studime mbi jetën e saj dhe monografi.

Fama e shenjtërisë dhe fama e shenjave u shfaqën gjithashtu te mijëra e mijëra njerëz që vijnë për t’u lutur pranë varrit të saj, për pushimin e saj të amshuar, si edhe për të kërkuar ose për të falënderuar për hiret dhe favoret e marra me ndërmjetësimin e saj. Më shumë se 120.000 njerëz, të ardhur nga mbi 100 vende të ndryshme të botës, kanë kaluar, individualisht, me familjet e tyre, në grupe të vogla ose të mëdha. Ata janë anëtarë të Ecjes Neokatekumenale, por edhe persona të tjerë që nuk janë pjesë e saj, por që kanë dëgjuar të flitet për Carmen-in. Një pjesë e madhe e lutjeve drejtuar Hyjit me ndërmjetësimin e Carmen-it lidhen me vështirësi gjatë shtatzënisë, lindjes, me fëmijët dhe me situata të tjera familjare.

I gjithë Kërkimi Dioqezan mbi jetën, virtytet dhe famën e shenjtërisë së Carmen Hernández-it u përmbyll me hartimin e Akteve Përfundimtare, të cilat përfshijnë 25.000 faqe dhe disa libra të botuar, në origjinal dhe në kopje të dyfishtë: e gjitha e vendosur në 70 kuti. Arqipeshkvi aktual i Madridit, Kardinali José Cobo, drejtoi Aktin e mbylljes juridiko-kanonike të fazës dioqezane 2 qershor 2026, në Seminarin Redemptoris Mater të Madridit, në një distancë të vogël nga varri i Carmen-it.

Një kopje e këtyre Akteve ka mbetur në Arkivin Dioqezan të Arqidioqezës së Madridit, ndërsa pjesa tjetër i është dërguar Dikasterit për Çështjet e Shenjtërve pranë Selisë së Shenjtë. Kutitë mbërritën në Dikaster më 18 qershor 2026. Në këtë fazë romane të procesit, hapi i ardhshëm do të jetë hapja e kutive për një studim të thelluar.

Çfarë periudhe intensive dhe e frytshme kanë qenë këto dhjetë vite që kanë kaluar nga vdekja e Carmen-it! Tani, në këtë dhjetëvjetor, gjendemi në një fazë të re në të cilën shoshitja e kujdesshme dhe e urtë e Kishës do të vazhdojë të vlerësojë jetën, virtytet dhe famën e shenjtërisë së Carmen Hernández-it. Kisha ka fjalën e fundit.

Por ndërkohë, neve na mbetet shembulli i qartë i një gruaje të jashtëzakonshme, e cila fliste me një liri të madhe, që u paraprinte kohëve dhe që e donte thellësisht Jezu Krishtin dhe Kishën. Jeta e saj u përshkua nga ungjillëzimi itinerant: për 52 vjet ajo shpalli Jezu Krishtin dhe Ungjillin, së bashku me Kiko Argüello-n, duke përshkuar më shumë se 3 milionë kilometra me avion (baras me 77 rrotullime rreth Tokës), duke u konsumuar dhe rraskapitur, shpesh pa fuqi dhe pa shëndet, duke ndjekur vetëm “gjurmët” që Jezu Krishti i tregonte.

Kiko ka pohuar kohët e fundit: “Carmen gjithmonë mendonte për të mirën e Kishës. Ajo ishte një teologe e angazhuar vazhdimisht në kërkim dhe studim. E gjithë jeta e saj u shënua nga dashuria për Krishtin dhe për misionin e Kishës. Lutemi që, në këtë fazë romane të Çështjes së Lumturimit dhe Shenjtërimit të saj, Kisha të konfirmojë se ajo tani gëzon përgjithmonë praninë e Zotit”.

Dhjetë vjet pas vdekjes së saj, fama e shenjtërisë së saj rritet nga dita në ditë. Dëshmi për këtë është fakti se, me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes së saj, mijëra anëtarë të Ecjes Neokatekumenale dhe besimtarë të tjerë nga të pesë kontinentet do të mblidhen të dielën, më 19 korrik, duke filluar me Mbrëmësoren I, për të kremtuar Eukaristinë dhe për të falënderuar Hyjin për jetën dhe shembullin e kësaj misionareje të palodhur. Në shumë dioqeza, do të jenë ipeshkvijtë ata që do të kryesojnë kremtimin e Eukaristisë.

Me rastin e këtij përvjetori, kemi zgjedhur këtë shënim nga një prej ditarëve të saj:

«Edhe sikur të të falënderoja për gjithë amshimin, kurrë nuk do të mund të shprehja as edhe një hije të mirënjohjes që ndiej për thirrjen që ke vendosur në mua, një thirrje për të cilën nuk kam dyshuar kurrë as edhe për një çast, pavarësisht nga të gjitha mangësitë e mia. Është e jotja, dhe unë dua të të dhurohem Ty. Më mbro për kohën që më ka mbetur në këtë mërgim, dhe Nëna ime e dashur, bëj që zemra ime të shpërthejë para se të kthehem pas. Bëj që ky mërgim të përfundojë shpejt, që të mund të dhurohem ty». «Mos lejo, Jezusi im, që askush tjetër të më mbushë; vetëm ti, dashuria jote, gjithë jetën time, më mbaj pranë teje dhe më duaj, sepse kam një dëshirë të madhe për dashuri, deri në vdekje». (Ditari, 1950)

Carlos Metola Postulatori i Çështjes së Lumturimit dhe Shenjtërimit
BASHKËNGJITUR:

Disa statistika mbi jetën e Carmen-it, para dhe pas vdekjes së saj.

– Mbi 52 vjet ungjillëzim të vazhdueshëm.

– Ka përshkuar 56 vende ku ka zhvilluar bashkëjetesa dhe takime.

– Ka vizituar 300 qytete në 5 kontinentet.

– Ka përshkuar 3 milionë kilometra me avion (77 rrotullime rreth Tokës).

– Dymbëdhjetë libra të botuar mbi jetën dhe veprën e saj, të përkthyer në gjuhët kryesore.

– Mbi 120.000 njerëz kanë vizituar varrin e saj.

– Rreth 80.000 shënime në librat e firmave pranë varrit.

– Rreth 5.200 hire dhe favore të marra nëpërmjet postës ose me e-mail.

Libra të botuar mbi Carmen-in (në gjuhë të ndryshme):

– Carmen Hernández Barrera, Diari – 1979-1981, a cura di J. Sotil e E. Pasotti, Cantagalli, Siena 2017 (në italisht, spanjisht, frëngjisht, anglisht, polonisht, portugalisht, kroatisht, koreanisht, hungarisht dhe rusisht).

– Carmen Hernández Barrera, La necessità della preghiera nel pensiero di Pio XII, a cura di R. Orozco e A. Carrascosa, Chirico, Napoli 2024 (në italisht, spanjisht, portugalisht dhe polonisht).

– Aquilino Cayuela, Carmen Hernández – Note biografiche, San Paolo, Milano 2021 (në italisht, spanjisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, holandisht, polonisht, portugalisht, portugalisht braziliane, kroatisht, rusisht dhe suedisht).

– Giorgio Ricci, Simboli giudeo-cristiani tra scienza e fede – Riflessioni con Carmen Hernandez, Chirico, Napoli 2021 (në italisht, spanjisht dhe anglisht).

– Francesco G. Voltaggio – Paolo Alfieri, Sono in te tutte le mie fonti – La Serva di Dio Carmen Hernández in Terra Santa, Chirico, Napoli 2023 (në italisht, spanjisht, anglisht, portugalisht, polonisht dhe arabisht).

– Carmen Hernández Saldaña, Sorianas en la historia, Soria Edita 2023 (me një kapitull kushtuar Shërbëtores së Hyjit Carmen Hernández Barrera).

– Gianfranco Santini, Un Santo per amico – Sette racconti, Tau editrice, Todi (Perugia) 2024.

Josefina Ramón Berná, Cuore indiviso – Missione e verginità in Carmen Hernández, San Paolo, Milano 2025 (në spanjisht, italisht, portugalisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, holandisht, polonisht, kinezisht, çekisht, rumanisht dhe suedisht).

– Charlie Metola – Isabel Banderas, La Serva di Dio Carmen Hernandez – La sua vita e la sua missione in 50 domande, Chirico, Napoli 2025 (në spanjisht, italisht, portugalisht, polonisht, anglisht dhe gjermanisht).

– José Casas – Jorge Borrel. Luz y tinieblas, Bendecid al Senor, Descléè De Brower, Bilbao 2026.