Camino Neocatecumenal Carmen Hernández. Libro La Sierva de Dios Carmen Hernández.

Përvjetori i nëntë i “dies natalis” të Carmen Hernández-it.

Me afrimin e përvjetorit të nëntë të vdekjes së Shërbëtores së Hyjit Carmen Hernández, më 19 korrik 2025, Kiko, At Mario dhe Ascension dëshirojnë të na kujtojnë këtë datë kaq të veçantë të kthimit të Carmenit tek Ati.

Postulatori i Çështjes së Shenjtërimit konfirmon se po përfundojnë përgatitjet për këtë fazë dioqezane hetimore të mbledhjes, analizimit dhe klasifikimit të dokumenteve dhe dëshmive të shumta të procesit. Shpresojmë që brenda mesit të vitit akademik 2025-2026 të mund të përfundojë faza dioqezane e Çështjes së Lumturimit dhe Shenjtërimit të Carmen-it.

Për këtë përvjetor të nëntë, Kiko, At Mario dhe Ascensión i ftojnë të gjithë të kremtojnë Eukaristinë në çdo famulli, të shtunën më 19 korrik, duke iu lutur Zotit për pushimin e amshuar të shpirtit të saj dhe për përfundimin e fazës dioqezane të procesit të saj të shenjtërimit, me kalimin në fazën romane.

Një katekist ose përgjegjësi i famullisë mund të bëjë një paraqitje mbi një aspekt të jetës së Carmen-it, duke u kujtuar gjithashtu vëllezërve se, nëse kanë marrë ndonjë hir me ndërmjetësimin e saj, ta shkruajnë atë në faqen e internetit ose duke dërguar një e-mail.

Ashtu si në vitet e mëparshme, Seminari Redemptoris Mater i Madridit do të jetë i hapur gjatë gjithë ditës më 19 korrik për ata që dëshirojnë të vizitojnë varrin e Carmen-it.

Ju kujtojmë gjithashtu se këtë vit janë botuar edhe dy libra të tjerë mbi Carmen-in: i pari me titull: “Zemër e pandarë. Misioni dhe virgjëria në Carmen Hernández” dhe i dyti “Shërbëtorja e Hyjit Carmen Hernández. Jeta dhe misioni në 50 pyetje”. Të dy librat mund t’ju jenë të dobishëm gjatë shtegtimit jubilar të të rinjve në Romë në fillim të gushtit 2025.

I pari i drejtohet katekistëve ose meshtarëve për t’u folur të rinjve mbi vlerën e madhe të misionit, të virgjërisë, të beqarisë dhe të martesës së krishterë. Libri i dytë është një biografi e thjeshtë, e përshtatshme për të gjithë, por e drejtuar në mënyrë të veçantë të rinjve. Leximi i tij do ta ndihmojë secilin prej jush ta kuptojë më mirë Carmen-in dhe të reflektojë së bashku mbi dhuratën që ajo ka përfaqësuar për Ecjen dhe për Kishën. Formati i tij i veçantë, me pyetje dhe përgjigje të shoqëruara nga shumë fotografi të pabotuara, e bën atë shumë të lexueshëm dhe të këndshëm.