
Shtëpia botuese San Paolo sapo ka publikuar një vepër mbi Carmen Hernández-in, bashkënismëtare me Kiko Argüello-n e Ecjes Neokatekumenale, që meriton të gjithë vëmendjen tonë: bëhet fjalë për veprën Zemër e pandarë. Misioni dhe virgjëria te Carmen Hernández, nga Josefina Ramón, anëtare e Ecjes Neokatekumenale, e cila duke ndjekur gjurmët e Carmen-it është edhe ajo celibe dhe misionare itinerante, dhe që, e ushqyer nga jeta dhe pasuria e mendimit të Carmen Hernández-it, tani e ofron atë në një pjatë argjendi, përmes këtij libri, si ushqim të bollshëm.
Për të kuptuar se kush është Carmen Hernández-i, për të cilën Dioqeza e Madridit thuajse ka përfunduar fazën dioqezane për çështjen e saj të lumturimit dhe shenjtërimit, frymëzohemi nga disa shënime të marra nga prologu i librit ku nënvizohet se në jetën e Carmen-it misioni dhe virgjëria janë të bashkuara në një zemër të pandarë, të dashuruar me Krishtin. Një virgjëri e jetuar në falasshmëri të plotë, në sigurinë e dashurisë së Atij që e ka magjepsur; një virgjëri që e ka çuar të jetë “një grua eskatologjike”, siç i pëlqen të thotë At Mario Pezzi, sepse ka jetuar ngjarjet duke shikuar nga qielli. Carmen-i ka qenë para së gjithash një misionare. Për 50 vjet ka jetuar së bashku me Kiko Argüello-n duke shpallur Ungjillin. Së bashku kanë shkuar nëpër botë duke ngjallur qindra thirrje për meshtari, për jetën rregulltare dhe për jetën misionare, si të beqarëve ashtu edhe të familjeve. Është konsumuar për të çuar gëzimin e Lajmit të Mirë te numri më i madh i mundshëm i njerëzve… Sepse Carmen-it i interesonte vetëm të bënte vullnetin e Hyjit; kjo i jepte lirinë e shpirtit dhe guximin e të mëdhenjve të Kishës. E pajisur me një inteligjencë dhe me një aftësi pune të jashtëzakonshme, mori një formim shkencor dhe teologjik për misionin për të cilin Hyji kishte zgjedhur atë dhe Kiko Argüello-n: itinerari i Ecjes Neokatekumenale. Jeta dhe katekeza e asaj që nuk ka dashur kurrë të themelojë asgjë, por vetëm të ndihmojë Kishën, mund t’u mësojë aq shumë të rinjve të sotëm të jetojnë në pastërti: rruga e sigurt për të ditur të shoshitin thirrjen në të cilën Hyji thërret secilin personalisht, e që nuk është tjetër veçse lumturia përmes takimit me Zotin.
Libri u drejtohet jo vetëm personave të kushtuar, e madje as vetëm grave, sepse në një shoqëri në krizë, ku feminiliteti ka humbur kuptimin e vlerës dhe të dinjitetit të tij, fjalët e Carmen-it, të mbledhura në këtë libër, Zemër e Pandarë, janë një ndihmë thelbësore për të gjithë, pasi misioni i gruas ndikon mbi të ardhmen e historisë. Ja pse është shumë e rëndësishme që gruaja, në gjendjet e ndryshme të jetës, të ritregojë veten. Në fakt, siç thoshte Carmen-i “gruaja ka në dorë çelësin e jetës, e prandaj është shumë e rëndësishme në veprën e Hyjit… dhe është shumë e rëndësishme në të gjitha shoqëritë…”. Historia e shëlbimit është historia e lavdisë së Hyjit dhe e luftës së tij kundër veprimit të djallit kundër gruas, që paraqitet, brez pas brezi, siç nënvizon Carmen-i: “Sot vetë, i gjithë sulmi që ekziston është kundër gruas”, por jo në optikën e një feminizmi thjeshtëzues që e vendos gruan në konflikt me burrin, por për sulmin e egër ndaj jetës, imazhi i së cilës është gruaja që bart jetën në kraharorin e saj. Një amësi që bëhet akoma më e frytshme dhe e plotë në virgjëri, sepse, siç thotë Carmen-i, “virgjëria përfaqëson krijimtarinë e Hyjit”. Mister i madh pushteti dhe hiri i mbyllur në trupin e një gruaje. Është atëherë e kuptueshme që, përballë një madhështie të tillë, të pësojë persekutime sepse “gruaja e virgjër përfaqëson në vetvete, fizikisht, në kraharorin e saj, që është madhështia e jashtëzakonshme që gruaja ka për të pasur fabrikën e jetës dhe të historisë, të gjithë potencialin njerëzor, mashkullor dhe femëror. Në këtë është si të ishte mitra e gruas një sakrament, një simbol në virgjërinë e saj i pushtetit krijues të Hyjit”. Kjo, që Carmen-i thoshte në vitin 1985, vazhdon të jetë çdo ditë e më aktuale: janë fjalë profetike shprese për këtë brez, që pret në fitoren e gruas së virgjër të zbulojë praninë e Hyjit Atë që vepron në histori.

Jeta dhe vepra e Carmen Hernández-it janë të pasura dhe pak nga pak po dalin në dritë për të qenë një ndihmë dhe një udhëheqje për njeriun bashkëkohor. Shembull për këtë janë veprat që po botohen në këto vitet e fundit:
- Hernández Barrera, Carmen, Diari. 1979-1981 (Cantagalli, Siena 2017)
- Cayuela, Aquilino, Cayuela, Aquilino, Carmen Hernández – Note biografiche (San Paolo, Milano 2021) – Hernández Barrera, Carmen,
- Carrascosa, Alfonso V. y Orozco, Raúl. La necessità della preghiera nel pensiero di Pio XII (Chirico, Napoli 2024)
- Voltaggio, G. Francesco – Alfieri, Paolo, Tutte le mie fonti sono in te. La Serva di Dio Carmen Hernández in Terra Santa (1963-64) (Chirico, Napoli 2023). .
- Ricci, Giorgio, Simboli giudaico-cristiani tra scienza e fede. Riflessioni con Carmen Hernández (Chirico, Nápoles 2023).
Kësaj liste i bashkohet tani ZEMËR E PANDARË, misioni dhe virgjëria te Carmen Hernández-it që pasqyron në të njëjtën kohë thellësinë teologjike, dashurinë intime për Jezu Krishtin së bashku me admirimin dhe shqetësimin për MISIONIN VIRGJËRITOR të grave.











