Kanë kaluar pesë vjet nga vdekja e bashkënismëtares së Ecjes Neokatekumenale, së bashku me Kiko Argüello-n, Carmen Hernández-it.
Gjatë një Eukaristie të kryesuar nga Arqipeshkvi i Madridit, Kardinali Carlos Osoro, u paraqit zyrtarisht kërkesa për hapjen e çështjes së procesit të lumturimit të kësaj gruaje të jashtëzakonshme, e cila ka lënë një gjurmë të thellë në historinë e kohëve të fundit të Kishës.
Në kremtim morën pjesë qindra anëtarë të Ecjes Neokatekumenale, kryesisht nga bashkësitë e Madridit, si edhe shumë meshtarë.
Në përfundim të kremtimit, Carlos Metola, postulatori i kauzës, ia dorëzoi Kardinalit Osoro kërkesën zyrtare, “Supplex Libellus”, pasi ishin mbledhur më shumë se 16.000 faqe, të përmbledhura në 70 vëllime, që përmbajnë shkrimet personale, katekezat e Carmen Hernández-it dhe materiale të tjera të mbledhura pas vdekjes së saj.
Në homelinë e tij, Kardinali Osoro theksoi se Carmen Hernández “ka qenë e aftë ta shpallë Jezu Krishtin duke hapur horizonte gëzimi dhe shprese, duke treguar, dhuruar dhe kumtuar dashurinë e mëshirshme të Hyjit, duke dëshmuar jetën e re që shfaqet në Krishtin”.
“Sot, në këtë kremtim, që e ofrojmë për pushimin e pasosur të Carmen-it, përjetojmë se duhet të shkojmë drejt të gjithë njerëzve me varfërinë tonë, por të mbushur me pasurinë e të Ngjallurit. Kjo është përvoja që Carmen-i ka jetuar gjatë gjithë jetës së saj.”
U lexua gjithashtu një mesazh i nismëtarit të Ecjes Neokatekumenale, Kiko Argüello-s, ku thuhej: “Ne besojmë se Carmen-i është me Zotin, se tashmë ndodhet në festën e amshuar. Një grua e jashtëzakonshme, me të vërtetë, me një bujari të pamasë. Një grua shumë e rëndësishme për Kishën! Ajo jetoi gjithmonë e dashuruar me Krishtin. Nëse lexoni ditarët e saj, gjithçka që thoshte ishte: «Jezus, të dua, të dua!». Në çdo faqe: «Të dua, të dua!». Ta duash Krishtin është e vetmja e vërtetë: «Duaje Krishtin dhe mijëra do të të ndjekin», thonë Etërit e Shkretëtirës. Unë mendoja se më ndiqnin mua, por zbuloj se mijëra vëllezër janë në Ecje falë Carmen-it dhe falë dashurisë që Carmen-i kishte për Krishtin.
Në fund të mesazhit, nismëtari dhe përgjegjësi i Ecjes Neokatekumenale kërkon nga «Carlos Metola, si postulator i fazës dioqezane, që të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm pranë Kardinalit të Madridit, Imzot Carlos Osoro, për të kërkuar që të mund të fillojë Kauza e Lumturimit të saj».
Botohet biografia e parë zyrtare e Carmen Hernández
Përvjetori i pestë i vdekjes së Carmen Hernández përkon me botimin e biografisë së saj të parë zyrtare, autor i së cilës është profesori dhe doktori në filozofi Aquilino Cayuela, botuar nga Biblioteca di Autori Cristiani (BAC) – Biblioteka e Autorëve të Krishterë
Pas vdekjes së Carmen Hernández Barrera, më 19 korrik 2016, përballë më shumë se 1.500 ndereve dhe hireve të marra përmes ndërmjetësimit të saj dhe më shumë se 40.000 vizitave në varrin e saj, u pa e arsyeshme të përgatitej një dokumentim i plotë mbi jetën e saj dhe mbi kontributin e saj në lindjen dhe përhapjen në mbarë botën të Ecjes Neokatekumenale.
Parathënia e biografisë është shkruar nga Kardinali Rouco Varela, i cili e njohu personalisht dhe ishte dëshmitar i veprimtarisë së saj ungjillëzuese. “Carmen-i dhe historia e jetës së saj me të vërtetë meritonin një biografi, që të mbetej një dëshmi e shkruar, e mbështetur fort në shkencën e historisë së Kishës, për atë që ka përfaqësuar, për Kishën e Koncilit II të Vatikanit, rrugëtimi njerëzor, shpirtëror dhe apostolik i një gruaje që iu dhurua Krishtit dhe Kishës së Tij, duke imituar dhe pranuar dashurinë e Nënës së Tij – të Krishtit dhe të Kishës – deri në dhënien e jetës për Të, e kushtuar plotësisht dashurisë së saj për ungjillëzimin e njeriut të kohës sonë – postmoderne – aq të uritur dhe të etur për hirin e Hyjit. Këtë biografi, plotësisht të merituar, e gjejmë në këtë libër.”
Libri përshkon etapat e ndryshme të jetës së Carmen Hernández-it, si edhe formimin e saj shkencor, teologjik, biblik, ekleziologjik dhe liturgjik. Teksti hyn me respekt dhe maturi në intimitetin e kësaj gruaje, për të ofruar një rindërtim biografik të plotë dhe kronologjik të jetës së saj.
Parathënia e librit është shkruar nga Kiko Argüello, i cili shkruan: “Në këto shënime biografike do të gjeni një grua të jashtëzakonshme, shumë të rëndësishme për Kishën, të dashuruar me Krishtin, me Shkrimet e Shenjta dhe me Eukaristinë. Ajo ishte e vetëdijshme se misioni që Hyji i kishte besuar ishte të më mbështeste, të më mbronte dhe të më korrigjonte, për të mirën e Ecjes Neokatekumenale. Falënderoj Hyjin për Carmen-in, e cila më ka thënë gjithmonë të vërtetën, pa pushim. Ishte një grua e thellë, e vërtetë dhe e lirë në marrëdhëniet me të gjithë. Ajo e donte Krishtin, Kishën dhe, mbi të gjitha, Papën.”
Bëhet fjalë, pra, për një vepër me vlerë të madhe kishtare, e thirrur të jetë biografia e parë e dokumentuar mirë e një prej grave spanjolle më me ndikim në Kishën Katolike të dalë nga Koncili II i Vatikanit.










