Pas hapjes solemne të fazës dioqezane të Çështjes të Lumturimit dhe Shenjtërimit të Carmen-it, më 4 dhjetor 2022, tani jemi në një fazë shumë të rëndësishme të studimit të dokumenteve të mbledhura dhe të mbledhjes së dëshmive të dëshmitarëve të shumtë.
Në 19 korrikun e ardhshëm 2023 do të festohet përvjetori i shtatë i vdekjes së Shërbëtores së Zotit, Carmen Hernández.
Kiko, At Mario dhe Ascensión kërkojnë, nëse është e mundur, që në çdo famulli, të mërkurën më 19 korrik, të celebrojmë Eukaristinë me komunitetet, duke iu lutur Zotit për pushimin e pasosur të shpirtit të saj dhe që të vazhdojë sa më shpejt të jetë e mundur procesi i saj i Shenjtërimit.
Ndërhyrja mbi Carmen Hernández-IN nga María Ascensión Romero Antón
“DËSHMITARËT E HYJIT”
KATEDRA E SHËN JUSTIT (SAN GIUSTO) – TRIESTE, 9 MARS 2023
Carmen-i nuk ka mbajtur kurrë konferenca. Nëse jam këtu, është për shkak të përvojës se, kur i afrohesh Carmen-it, shtohet dëshira për ta dashur Krishtin, ashtu siç e ka dashur ajo. Dhe kjo është ajo që pres nga ky takim: që Shpirti i Shenjtë, përmes një njohjeje pak më të thelluar të Carmen-it, të derdhë në të gjithë ne këtu të pranishmit një dashuri më të madhe për Krishtin dhe dëshirën për të qenë dëshmitarë të tij, siç thotë edhe motoja e këtij takimi: dëshmitarët e Hyjit.
Kush është kjo grua që, me plotësimin e përvjetorit të shtatë të vdekjes së saj, do të ketë parë më shumë se 80.000 njerëz të vizitojnë varrin e saj? Kush është kjo grua që vetëm gjashtë vjet pas vdekjes së saj tashmë quhet SHËRBËTORJA E ZOTIT? Në jetën e Carmen-it mund të dallohen shumë anë: unë do të dëshiroja të ndalesha veçanërisht te Carmen-i misionare dhe te Carmen-i profete.
Carmen Hernández, nismëtare së bashku me Kiko Argüello-n e Ecjes Neokatekumenale, është një figurë e madhe e Kishës së shekullit XX dhe XXI. Nuk është aspak rastësi që çështja e saj e lumturimit dhe shenjtërimit është hapur në 60-vjetorin e hapjes së Koncilit të Dytë të Vatikanit, për realizimin e të cilit ajo u dha vetë dhe u shkri (krhs. 2 Kor 12,15) nëpër famulli, së bashku me Kiko Argüello-n, duke udhëtuar në të pesë kontinentet, sepse Carmen-i ka qenë rrënjësisht një misionare, dhe kështu identifikohej kur tregonte historinë e saj: ka qenë një misionare e dashuruar me Krishtin! Në takimet thirrore, në përfundim të Ditëve Botërore të Rinisë, mijëra të rinj e brohorisnin dhe i kërkonin një fjalë, sepse e vërteta dhe origjinaliteti me të cilin predikonte fitonte të gjithë, veçanërisht vajzat. Por edhe mes suksesit, ajo shkruante në ditarin e saj: “Kjo mua nuk më shërben për asgjë, e vetmja gjë e rëndësishme është koha që kaloj në intimitet me Jezu Krishtin”. Edhe kjo ishte Carmen: një mistike e ditëve tona

Të prek zgjedhja që Hyji bëri për të qysh prej fëmijërisë dhe se si zhvillohet tek ajo, në të njëjtën kohë, dashuria për Krishtin bashkë me thirrjen misionare. Carmen-i jeton në një ambjent misionar. E kalon fëmijërinë e saj në Tudela, në rajonin e Navarrës. Navarra ku jetoi Carmen-i ishte e mbushur me frymë misionare nën nxitjen e figurës së Shën Françesk Ksavierit, Pajtorit të Misioneve, dhe gjatë shekullit XX ka qenë dioqeza me më shumë thirrje misionare. Është interesante të vëresh gjithashtu se në vitin kur u hap Çështja e Lumturimit të Carmen-it, u kremtua 400-vjetori i shenjtërimit të tij.
Në këtë ambjent misionar ndihmoi shumë figura e Imzot Marcelino Olaechea-s, i cili qe ipeshkëv i Navarrës kur Carmen-i jetonte në Tudela: ai jo vetëm mbështeti fondacionin e Misionareve të Krishtit Jezus (ku më pas do të hynte edhe Carmen-i), por e bazoi të gjithë punën e tij baritore mbi figurën më të madhe të të gjitha kohërave të Navarrës: Shën Françesk Ksavierin. Duke përfituar nga fakti se në fillim të shekullit ai ishte shpallur “Pajtor i misioneve katolike”, ipeshkvi nxiti një ambjent misionar në të gjithë shoqërinë e Navarrës. Carmen-i e konsideronte Imzot Marcelino-n një shenjt, dhe mbajti me të një marrëdhënie të ngushtë gjatë viteve të kaluara me Misionaret e Krishtit Jezus, sidomos kur më vonë ai u bë Arqipeshkëv i Valencias.
Por përveç kësaj atmosfere misionare të Navarrës, Carmen-i ka studiuar gjithashtu në Kolegjin e Shoqërisë së Marisë. Përballë tij gjendet Kolegji i Shoqërisë së Jezusit (Jezuitët), për të cilin Carmen-i na ka folur shumë herë, dhe falë të cilit mundi të njohë shumë jezuitë, misionarë në Lindje, të cilët shënuan thirrjen e saj misionare. Më prek të kujtoj këtë, sepse është pikërisht aty ku Zoti i jep “prekjen e parë të substancës së tij” (siç do të thoshte Shën Gjoni i Kryqit). Si shumë të zgjedhur, Zoti e ka shënuar qysh prej fëmijërisë së saj. Ajo tregon se kur shkonte në shkollë hynte në katedrale – një perlë arkitekture romanike e shekullit XII – dhe aty Carmen-i lutej një orë çdo ditë! Carmen-i do të thotë: “Dhuratat që kam marrë në katedralen e Tudelës, askush nuk i di”. Gjithmonë emocionohej kur dëgjonte Ungjillin e mrekullisë së peshkimit, të parin që dëgjoi në kapelën e Shpirtit të Shenjtë të Katedrales në moshën 10-vjeçare. Do të thotë: “Ishte i pari që unë dëgjova në zemër dhe qe për mua një thirrje për ungjillëzim në një mënyrë mahnitëse”. E tregoj të gjithë këtë, jo vetëm sepse edhe unë jam nga Tudela dhe më prekin kaq shumë këto vende, por sepse qe pikërisht aty, në ato vite të para të kaluara në Tudela, kur Zoti i nguliti një vulë të pashlyeshme për Të dhe për misionin që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës. Edhe në momentet e pasigurisë së plotë e të vuajtjes së madhe, këto do të jenë dy shtyllat e forta të jetës së saj: dashuria për Krishtin dhe për misionin.

Kur ishte 15 vjeçe, familja e Carmen-it u shpërngul në Madrid. Ajo tregon shpesh se çdo vit përpiqej të shkonte në mision, por i ati ia ndalonte. Misteri i zgjedhjes së Zotit për Carmen-in shihet edhe në Madrid, ku do të gjente si at shpirtëror Atin Sanchez-in, një jezuit i shenjtë – i cili ka qenë gjithashtu rrëfyesi i themeluesit të Opus Dei, Shën José María Escrivá de Balaguer – i cili do ta vendosë në kontakt me Shkrimin e Shenjtë dhe me shenjtërit, veçanërisht me Shën Terezën e Jezusit. Nën udhëheqjen shpirtërore të Atë Sanchez-it, Carmen-i në rininë e saj bëri një jetë intensive lutjeje: lutej për një orë në mëngjes, më pas merrte pjesë në Meshë para se të shkonte në universitet dhe gjithashtu në mbrëmje i kushtohej lutjes. Me sugjerimin e të atit, një industrialist i madh që kishte projekte për të gjithë fëmijët e tij, Carmen-i studioi Kimi në Universitetin Complutense të Madridit, ku mori notat më të larta. Pikërisht gjatë kësaj periudhe universitare Zoti vazhdon t’i japë shenja të zgjedhjes së saj; ajo tregon:
“Zoti më ka dhënë shumë hire, gjithmonë, edhe kur isha në universitet. Jezu Krishti sikur më ndiqte me një prani të dukshme, të prekshme, të një dashurie të pamasë dhe të një thirrje të madhe për ungjillëzim. Kujtoj disa ditë, kur shkoja në Fakultetin e Kimisë, në të cilat shihja se Hyji më thërriste të bëja një punë në Kishë: ishte gjithmonë ungjillëzimi dhe misionet”.
Thirrja e saj ishte aq e fortë saqë në adoleshencë u përrpoq së paku tri herë të shkonte në mision, por familja ia ndaloi. Në moshën 21-vjeçare, pasi u diplomua për Kimi, u largua nga shtëpia dhe, pa lejen e të atit e me përndjekje të mëdha nga ana e familjes, shkoi në Xavier, ku sapo ishte krijuar një kongregatë moderne misionare. Hyri në Institutin e Misionareve të Krishtit Jezus, të cilat e kishin noviciatin e tyre në Xavier dhe që nuk kishin vetëm tre kushtet e të gjitha kongregatave fetare – varfërinë, virgjërinë dhe bindjen –, por edhe një kusht të katërt: t’u kushtoheshin misioneve. Kjo ishte diçka prekëse për Carmen-in, sepse ishte përgjigja ndaj thirrjes së saj të zjarrtë misionare që e ndiente që nga fëmijëria. Ëndrra e jetës së saj është të jetë misionare dhe hyrja në Institutin e Krishtit Jezus është hapi i parë për ta realizuar atë. Carmen-i ishte e lumtur të jetonte dy vitet e noviciatit në Xavier. Ndiente gjithmonë se është Hyji ai që udhëheq jetën e saj dhe këtë e thotë vetë ajo:
“Pasi kalova shumë aventura, Hyji më çoi te Misionaret e Krishtit Jezus në Xavier. Atje Zoti më dha shumë hire”. “Zoti më priste në Xavier me hire të mëdha ngushëllimi dhe zbulimi të Shkrimeve”. “Dhe e falënderoj shumë Zotin, sepse për mua ka qenë vërtet një cenakul lutjeje dhe hire të pamasa të Zotit”.
Në një letër dërguar familjes së saj ajo shkruan: “Jam e lumtur, duke mësuar të bëhem e shenjtë, me të gjithë shpresën te Hyji dhe te lutjet tuaja”. Gjatë noviciatit bënin shtegtime dyditore apo treditore në qytete dhe shenjtërore të ndryshme. Tri motra shkonin së bashku, pa para, duke u shpallur Jezu Krishtin njerëzve që takonin e duke folur për misionin, dhe në mbrëmje pritsnin në ndonjë fshat. Ishte skica e parë e shpalljes së Ungjillit dy nga dy, që do të realizohej më vonë përgjatë Ecjes.

Para se të bënin kushtet, noviciet bënin një muaj të tërë ushtrime shpirtërore. Në javën e tretë, të dedikuar ndaj Mundimeve të Krishtit, Carmen-i, e cila ishte shumë e lidhur me Zotin, u trondit nga fakti se Shën Pjetri e kishte mohuar Jezu Krishtin:
“Atë natë kërkova të qëndroja në meditim. E kalova tërë natën duke menduar se, sikur Shën Pjetri, në vend që t’i thoshte Jezu Krishtit: ‘Nuk do të të mohoj’, t’i kishte kërkuar Zotit: ‘Mos lejo që unë të të mohoj’, Ai do t’ia kishte dhënë këtë hir dhe ai nuk do ta kishte mohuar Jezu Krishtin”.
Carmen-i kishte frikë se, përballë vuajtjes, mund ta mohonte Jezu Krishtin; dhe se në çastet e errësirës ose të vuajtjes mund ta mohonte Krishtin, ashtu si Pjetri.
“Kam qëndruar zgjuar tërë natën me këtë mendim: Më lejo të të ndjek edhe në Mundimin tënd”.
Me këtë mendim shkoi të flinte atë mbrëmje. Duke iu referuar asaj nate, Carmen-i thoshte:
“Ndër hiret që Zoti më ka dhënë atje, është një që nuk e kam harruar kurrë, as në çastet e krizës dhe ankthit më të madh që më vonë do të kisha në jetë. Për mua mbetet një kujtim shumë i fortë i ndërhyrjes së Hyjit në jetën time”.
Ja se si e tregon Carmen-i atë që ndodhi:
“Ndërsa flija, pashë një ëndërr në lidhje me Ngjitjen në Qiell. Në atë ëndërr shoh Jezu Krishtin që më thotë: – ‘Ti, më ndiq!’. E shoh Jezu Krishtin, përpiqem ta ndjek Jezu Krishtin, por e kuptoj se kjo është një marrëzi. Dhe Ai më thotë: – ‘Ti, më ndiq!’. Dhe, gjithmonë në ëndërr, jam pranë Jezu Krishtit që del nga dritarja dhe ajo që gjej përpara meje është zbrazëtia… Atëherë fillon një zbritje, një zbritje, një zbritje, një zbritje, në të cilën bie gjithnjë e më shpejt, duke parë se do të përplasem dhe më pushton një ankth i jashtëzakonshëm… Atëherë ndiej zërin e Jezu Krishtit që më thotë: – ‘A nuk the se doje të më ndiqje?’. – ‘A nuk thoshe ti se doje të më ndiqje?’. Thashë po dhe hyra në vdekje… hyra në vdekje dhe pikërisht në atë çast rrethanat ndryshuan: e gjeta veten duke u ngjitur, duke u ngjitur, duke u ngjitur, në një Ngjitje të lavdishme e të mrekullueshme, me një ndjesi të madhe gëzimi dhe mirëqenieje, diçka që nuk mund të krahasohet as me kënaqësinë seksuale, as me ushqimin, e as me ndonjë gjë tjetër. Është një lumturi, një të qenurit në Qiell pas Zotit, duke u ngjitur. Dhe ishte aq e fuqishme sa thashë: – ‘Mjaft, mjaft, mjaft!’. Dhe u zgjova pasi kisha përjetuar se çfarë ishte me të vërtetë ‘lumturia’, Qielli. Aq e vërtetë ishte kjo, saqë më zgjati më shumë se një muaj të tërë: mbeta si e ‘lumturuar’. Jetoja në Qiell; ishte diçka e pashpjegueshme.”
Kjo ëndërr do të jetë vendimtare në jetën e saj dhe do ta kujtojë veçanërisht në çastet e vuajtjes; edhe në ditarët e saj ajo flet vazhdimisht për këtë festë të Ngjitjes në Qiell. Kemi parë se si shkëlqimi i Shën Françeskut Ksavierit, misionarit më të madh të epokës moderne, e ka ndriçuar jetën e Carmen-it qysh prej fëmijërsë. Pikërisht 450 vjet pas lindjes së Shën Françeskut në kështjellën e Xavierit, Carmen-i do të bëjë kushtet e saj rregulltare në Bazilikën e Xavierit, pranë kështjellës, ku ende sot ndodhet kapela e Krishtit të Buzëqeshjes, një kryq mesjetar para të cilit lutej Shën Françesku së bashku me familjen e tij. Është po ai kryq para të cilit u lut edhe Carmen-i gjatë kohës së noviciatit; imazhi i këtij kryqi e ka shoqëruar gjithmonë Carmen-in.

Ipeshkvi i atëhershëm i Navarrës, Imzot Marcelino Olaechea, i cili, siç e përmenda më parë, kishte mbështetur lindjen e Institutit misionar ku kishte hyrë Carmen-i, emërohet Arqipeshkëv i Valencias dhe edhe atje përgatit një shtëpi për misionaret. Carmen-i, pasi bëri kushtet e para në Xavier, do ta vazhdojë formimin e saj në Valencia. Aty do të jetojë pesë vjet, duke marrë hire të jashtëzakonshme. Dy vitet e para i kalon duke larë dhe hekurosur çarçafë në shtëpi (ende nuk kishte lavatriçe) dhe, për habinë e saj të madhe, i kërkohet të studiojë Teologji. Janë vitet kur po përgatitej Koncili II i Vatikanit dhe ky ipeshkëv kishte hapur një institut të Teologjisë me profesorët më të mirë të Spanjës, me risinë se pranonte në studime edhe gratë, kështu që edhe motrat rregulltare mund të studionin Teologji. Edhe Carmen-i do të kryejë aty tre vjet studime teologjike, një formim që do të jetë providencial për misionin e saj në Ecjen Neokatekumenale. Teza e saj për marrjen e licencës, me titull “Domosdoshmëria e lutjes sipas Piut XII”, do të vlerësohet me notën Summa cum laude. Së shpejti ai do të botohet edhe në italisht.
Carmen-i është në prag të realizimit të ëndrrës së jetës së saj: të shkojë në mision në Indi; për këtë arsye dërgohet në Londër për të mësuar anglishten dhe për të mundur të hyjë në Indi. Në Londër do të jetojë një vit e gjysmë. Por gjatë kësaj kohe ndodhin shumë gjëra në Institutin e saj; ashtu siç ndodhi në shumicën e Instituteve dhe Kongregatave rregulltare pas Koncilit. Instituti i saj, i cili ishte shumë modern, e përjeton këtë proces që më parë dhe gjatë Koncilit. Në tensionin midis konservatorizmit dhe progresizmit, fiton linja konservatore dhe Këshilltaret e reja mbyllin ato hapje me të cilat kishte lindur Instituti. Carmen-i, së bashku me një grup të vogël, sheh nevojën për të formuar misionaret, në mënyrë që në apostullim të mund t’u bëjnë ballë problemeve të njerëzve të kohës së sotme. Kështu krijohet një shkëputje midis këtyre motrave më të reja dhe eproreve, më të lidhur me linjën konservatore, të cilët në fund dëbojnë katër prej tyre. E fundit që do të dëbohet do të jetë Carmen-i, e cila ndodhet në Angli.
Një telegram nga Nëna Superiore e Përgjithshme e thërret papritur të kthehet në Barcelonë. Kur arrin atje, gjen se tri shoqe të grupit të saj tashmë janë përjashtuar dhe se tani është radha e saj. Për Carmen-in kjo është një befasi e jashtëzakonshme. Ato mund të përjashtoheshin, sigurisht, por për arsye ose mëkate të rënda. Por nuk ishte ky rasti. Ky do të jetë një nga çastet më të dhimbshme dhe më të vështira të jetës së saj, sepse shembet ëndrra e gjithë jetës së saj: të shkonte në mision. Dhe kjo ndodh jo për ndonjë arsye të rëndë ose me karakter moral, por vetëm sepse nënat e reja superiore nuk i kuptojnë reformat që këto vajza dëshironin të propozonin dhe donin ta mbanin Institutin në një gjendje ruajtjeje.

Carmen-i vuajti shumë, por edhe ky do të jetë një çast hiri i veçantë për zhvillimin e fesë së saj dhe, më vonë, për vetë Ecjen. Ajo që Carmen-i përjeton në Barcelonë do të përbëjë qendrën e të gjithë Ecjes Neokatekumenale: Pashkën, diellin e shndritshëm të Ngjalljes, të jetuar në Eukaristi. Hyji do ta çojë të përjetojë, në vetë mishin e saj, Pashkën: vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtit:
“Zoti më bëri të mbërrij atje në Barcelonë që të më bënte vërtet pjesëmarrëse në Mundimin e Jezu Krishtit. Kjo kénosis që Barcelona përfaqësoi për mua, ishte me të vërtetë hyrja, jo në diçka nga Mundimi, por në vetë Mundimin e Jezu Krishtit, që do të thotë të gjykohesh nga populli yt, në emër të Ligjit që Ai kishte dhënë, dhe të dëbohesh jashtë nga populli yt e të kryqëzohesh jashtë mureve”.
Në atë vit, 1962, të jetuar në Barcelonë, Hyji i dhuron Carmen-it një takim që do të jetë themelor për Ecjen: At Pedro Farnés-in, i cili shfaqet në çastin më kritik të kénosis së saj; për këtë arsye ajo do të thotë shpesh se ai ishte engjëlli që Hyji i kishte dërguar në Gjetsemanin e saj. At Farnés-i, dishepull i Don Botte dhe i Bouyer, kishte studiuar dhe kishte njohur në Paris liturgjistët më të mirë që kishin përgatitur reformën e Koncilit.
Gjatë kohës së Gjetsemanit të saj në Barcelonë, ajo arrin të pyesë veten nëse është normale të kesh këtë dëshirë për t’i përkitur plotësisht Zotit dhe shkruan në ditarin e saj:
“Jezus, do të doja t’i pyesja etërit e mi shpirtërorë nëse të gjithë njerëzit, që kur janë të vegjël, e ndiejnë këtë tërësi tënde, JEZUS.”
Kur tashmë e kupton se do të përjashtohej nga Instituti Misionar dhe sheh se si po prishet projekti i saj i jetës, ai për të qenë misionare, në pranverën e vitit 1962, i shkruan babait të saj:
“E gjithë dashuria dhe kujdesi juaj nuk janë në gjendje ta mbushin këtë jetë që gjithmonë kam ëndërruar të ishte vetëm për Hyjin. Po, është një martirizim i vërtetë të mos mendosh për asgjë tjetër përveç Jezu Krishtit, mëngjes, mesditë dhe mbrëmje… Nuk kam pasur kurrë asnjë dyshim, që kur isha fëmijë, për thirrjen time; a e kupton martirizimin tim?”.

Nëse deri tani e kemi parë Carmen-in si një misionare të zjarrtë, në Barcelonë shfaqet zgjedhja e mistershme e Hyjit mbi Carmen-in si një profete e vërtetë: Ai e bën të jetojë në vetë mishin e saj veprën që dëshiron të shfaqë në Ecje dhe në Kishë që do të përtërihet me Koncilin II të Vatikanit. Ashtu siç ka bërë Hyji me profetin Ezekiel – të cilit i vdes nusja që ai të përjetojë dhimbjen e Hyjit për popullin e tij – ose me profetin Osea – të cilit Hyji i kërkon të martohet me një prostitutë, që të jetojë në historinë e tij pabesinë e popullit të vet dhe t’i shpallë dashurinë e Hyjit më të fortë se të gjitha mëkatet e tyre – po kështu tani do ta bëjë me Carmen-in, duke e çuar të përjetojë në mishin e saj gjëra të pabesueshme, si Misterin e Pashkës, të vdekjes dhe ngjalljes së Zotit, të cilin ajo e përjetoi në Barcelonë gjatë procesit të përjashtimit nga Misionaret e Jezu Krishtit.
Carmen-i kishte qenë gjithmonë shumë e përkushtuar ndaj Eukaristisë dhe, që nga fëmijëria, nuk mungonte kurrë në Meshë, edhe kur – gjatë një udhëtimi të bërë me babanë e saj në Marok, ku ishte vërtet e vështirë të gjendej një kishë katolike – ajo gjeti mënyrën për të shkuar në Meshë çdo ditë. Carmen-i shkruan:
“Në Barcelonë hyra në këtë dinamikë pashkvore, sepse Eukaristia nuk është thjesht të marrësh në zemër Fëmijën Jezus, ose Jezu Krishtin si forcë, por të hysh në vdekje me Të për të ngjallur me Të në këtë këngë që është Eukaristia. Dhe nëpërmjet kësaj njoha gjithashtu gjithçka që sillte Koncili: përtëritjen kishtare, futjen e Fjalës së Hyjit në popull. Domethënë, Zoti më çoi mua, që kisha marrë të gjithë Skolastikën dhe formimin e meshtarëve, të kuptoja nëpërmjet përvojës së kénosis që po jetoja të gjithë përtëritjen që Koncili i jepte Kishës. Koncili për mua ishte si një ushqim që Hyji më jepte, një ushqim që hyn në vetë ekzistencën”.
Me At Farnés-in, Carmen-i zbuloi Misterin e Pashkës, ku bëhet fjalë për të hyrë në vdekje me Krishtin për të ngjallur me Të; dhe kjo është qendra e të gjithë Koncilit II të Vatikanit. Carmen-i tregon:
“Në Barcelonë më dukej sikur ngjitesha në malin Moria me thirrjen time, me birin tim, me ëndrrën e gjithë jetës sime, për ta dorëzuar atë në flijim”.
Carmen-i shihte se duhej të flijonte Isakun e saj, që ishte thirrja e saj misionare, projekti i ekzistencës së saj, projekti i së ardhmes së saj, të flijonte vetë jetën e saj dhe të dilte në errësirë, në të panjohurën, në misterin e asaj që Hyji do të dëshironte prej saj.
Gjatë qëndrimit të saj në Barcelonë, Carmen-i do ta kujtojë ëndrrën e Ngjitjes në Qiell, që kishte parë gjatë noviciatit në Xavier, në lidhje me vuajtjet që po jetonte. Ajo shkruan në ditarin e saj:
“Jezus! Kam frikë. Nuk kuptoj dhe nuk shoh asgjë. Jezus! Është e tmerrshme; një dënim me vdekje dhe pa asnjë apel e pa asnjë mundësi. Jezus, a do të më lësh? Unë jam e sigurt në Ty, kam besim te Ti, të dua. A të kujtohet ajo Ngjitje në Qiell? Jezus, Ti je e Vërteta. Ti je jeta ime. Nuk mund të më lësh; unë të dua, Jezus; dhe edhe në thellësi të lotëve, të dhimbjes dhe të pasigurisë më të tmerrshme, e ndiej gëzimin e krahut tënd të fuqishëm, shumë të fuqishëm, të shtrirë mbi mua. Kush mund të na ndajë? Faleminderit, Jezus.”
Që nga fillimi i atij viti, Carmen-i e përjeton Mundimin e Krishtit në mishin e saj. Në verën e vitit 1962, Carmen-i njoftohet se nuk do të pranohet në kushtet e përjetshme dhe, me këtë vendim të Nënave Superiore, ajo fillon në mënyrë të mistershme të përjetojë Ngjalljen. Ajo shkruan në Ditarin e saj:
“7 korrik 1962. Shën Fermini (San Fermín). Jezus!, Ti tashmë e di: ‘NUK MË PRANOJNË NË KUSHTET RREGULLTARE’. Çfarë qetësie, Jezus! Një qetësi shumë e ëmbël, e pashpjegueshme, e jotja; je Ti, Shumë i Ëmbli, Shumë i Miri. PAQJA qoftë me ju. Jezus Shumë i Ëmbël, të dua me ëmbëlsi, marrëzisht, krejtësisht. Çfarë do prej meje? Dora ime është në dorën Tënde dhe unë shkoj me sy mbyllur kudo që Ti dëshiron. Faleminderit, Jezus. DASHURIA IME, JEZUS, të dua, të dua; askush nuk mund të na ndajë, sepse dashuria ime është dashuria Jote, e unë nuk jam asgjë. Ti je RRUGA ime, JETA ime, Jezus Shumë i Ëmbël, të dua.”
Është fuqia e Krishtit të Ngjallur që ajo përjeton në jetën e saj; këtë e shpreh edhe në një letër drejtuar njërës prej Nënave të saj Superiore:
“Nuk ndiej tjetër veç dashuri dhe dëshirë për të puthur duart e atij që më dënon. Unë nuk besoj në asgjë tjetër përveç DASHURISË. Qetësi shumë e ëmbël, Hyjni shumë e ëmbël. RRUGË shumë e ëmbël, JEZUS, JEZU KRISHT, RRUGA, E VËRTETA dhe JETA. Mund të shkruaj se nuk jam më unë që jetoj, por JEZU KRISHTI jeton në mua, dhe nuk gënjej, as nuk ka asnjë lloj kotësie në këtë; di vetëm se Hyji është DASHURI, se JEZU KRISHTI është HYJI dhe është DASHURIA, dhe se Ai i do njerëzit.”
Përvojën e Carmen në Barcelonë e përmbledh kështu Kiko gjatë një Bashkëjetese:
“Nëse Carmen-i nuk do ta kishte kaluar atë kénosis të tmerrshme, që të dënojnë në emër të ligjit, nuk do ta kishte kuptuar domethënien e Misterit Pashkvor, të cilin më pas do të ma sillte mua e, më vonë, do t’ia sillte Ecjes Neokatekumenale.”
Vuajtjet e Carmen-it kanë qenë frytdhënëse për Kiko-n, për Ecjen dhe, pa dyshim, për mbarë Kishën.
Carmen-i do të qëndrojë në Barcelonë për një vit, së bashku me tri të tjerat që kishin dalë nga Instituti. Shqetësimi i saj i thellë për çështjen shoqërore do ta çojë të jetojë me të varfrit në baraka dhe të punojë në fabrika, ndërsa përgatiteshin për të shkuar në mision.

Imzot Marcelino Olaechea i vë në kontakt me një Ipeshkëv të Bolivisë, Imzot Manrique-n, që të mund të shkojnë në mision mes minatorëve të Oruros. Por para se të shkojë në mision, Carmen-i, duke ndjekur gjurmët e shën Injacit të Lojolës, shkon në Tokën e Shenjtë për një vit, me Shkrimet. Gjen një mikeshë irlandeze që e shoqëron. Dhe me një çantë shpine e një tendë kampingu përshkojnë të gjithë Izraelin; atje Zoti po e priste për t’i dhënë hire të shumta, jo vetëm për të, por edhe për të gjithë Ecjen Neokatekumenale. Ajo tregon se atje, në Izrael, mbi bregun e liqenit të Tiberiadit, e ulur mbi shkëmbin e primatit të Pjetrit, i kërkoi Zotit se çfarë donte prej saj dhe ndieu se Hyji po i thoshte se do t’i shfaqte vullnetin e tij në Kishë: dashuria për Krishtin, e pranishme në veprimin që duhej të kryente në Kishë. Në Ain Karem pati sigurinë absolute, si në një vizion, se Hyji donte prej saj diçka për Kishën universale, se nuk bëhej fjalë për të themeluar një Kongregatë, siç mendonte të bënte me shoqet e saja; ndieu, sikur të ishte vetë Virgjëra Mari, si një mister gjigant, se në një grua të çfarëdoshme të botës mund të realizohej Misteri i Kishës dhe i ungjillëzimit. Do të kuptojë më vonë se bëhej fjalë për të hapur me Kiko Argüello-n një Nxënie e Krishterë: Ecjen Neokatekumenale.
Viti i kaluar në shtegtim përmes Izraelit ishte për të një udhëtim i paharrueshëm, në të cilin iu hapën Shkrimet në mënyrë mbresëlënëse, duke kuptuar bashkimin e historisë së shëlbimit me tokën në të cilën Hyji ka dashur të shfaqet dhe rëndësinë e njohjes së traditës hebraike për të kuptuar Ungjillin. Ishte për të një kohë martese me Zotin, pas vuajtjeve të mëdha që kishte jetuar. Aq sa, 25 vjet më vonë, Carmen-i do të vijë të kremtojë Dasmën e Argjendtë të këtij udhëtimi në Izrael.
Shtegtimi i Carmen-it në Tokën e Shenjtë pati një rëndësi vendimtare për jetën e saj dhe për misionin e saj (aq sa shpesh i referohej si “koha e dashurisë së rinisë së saj”), si edhe për Ecjen Neokatekumenale. Në librin “Janë në ty të gjitha burimet e mia” mblidhen të gjitha përvojat e bukura të jetuara prej saj në këtë kohë.
Njohja e Koncilit dhe e Tokës së Izraelit nga ana e Carmen-it janë në origjinën e dashurisë së madhe të lindur në Shtegtim ndaj Izraelit, popullit të tij dhe traditave të tij. Aq herë, gjatë predikimit, përlotej duke kujtuar Jerusalemin: kryqin e Jezu Krishtit të ngritur mbi Golgotë. Jerusalemin: qytetin që është dëshmitar i Ringjalljes dhe Ngjitjes së tij në Qiell.
Vizita e Papës Shën Pali VI në Nazaret në janar 1964, në të cilën mundi të jetë e pranishme, e ndihmoi të kuptojë çelësat thelbësorë të Koncilit, duke parë në kthimin te origjinat e krishtera dhe te rrënjët hebraike, shtyllat më të rëndësishme për përtëritjen e Kishës.
Edhe në Nazaret Hyji e bëri të takojë at Gauthier-in, përmes të cilit mësoi të bashkëpunojë me burra. Ai kishte themeluar një lloj Kongregacioni në të cilin bashkëpunonin së bashku burra e gra. Me t’u kthyer nga Izraeli, Carmen-i kalon nga Roma, duke vizituar vendet e shenjta dhe duke përgatitur kështu, pa e ditur, vizitat që më pas do të bënin vëllezërit e Ecjes. Dhe pastaj kthehet në Spanjë.
Kur arriti në Barcelonë, dy shoqet e tjera të Carmen-it kishin shkuar në Madrid, vendi i fundit ku ajo do të kishte dashur të shkonte, sepse familja e saj po e kërkonte tashmë. Hyji po i mbyllte të gjitha rrugët e tjera që ajo të arrinte në Madrid, sepse kishte planin e tij dhe në Spanjë e bëri të takojë Kiko Argüello-n në Palomeras Altas në Madrid. U njohën në vitin 1964, me t’u kthyer nga shtegtimi në Tokën e Shenjtë. Kiko kishte shkuar të jetojë me të varfërit në një kasolle në Palomeras. Atje Carmen-i njohu bashkësinë që mblidhej në kasollen e Kiko-s dhe mbeti shumë e prekur nga përgjigjja e tyre ndaj Fjalës së Hyjit. Vendosi të qëndrojë me ta në një kasolle afër. Ja si e kujton Kiko atë periudhë:
“Ishte në Palomeras ku qe e mundur për Carmen-in të shohë Jezu Krishtin që vjen të shpëtojë mëkatarët dhe të realizojë misterin e Pashkës, të krijojë bashkësinë, aty ku është e pamundur që ajo të realizohet: mes njerëzve të zakonshëm dhe ciganëve. Sepse atje kemi parë dhe kemi prekur Shpirtin Shenjtë, që shfaqej duke krijuar një bashkësi të pabesueshme, një bashkësi të pamundur mes ciganëve dhe personave të atij lloji.
Carmen-i vinte nga një përvojë me shoqet e saj të Barcelonës, që kishin punuar me punëtorë, duke dhënë jetën e tyre atje, në pritje pastaj për t’ju folur atyre për Jezu Krishtin, pas një kohe mishërimi mes tyre; por ai moment nuk arrinte kurrë. Megjithatë, Carmen-i pa në kasollen time se unë flisja për Jezu Krishtin dhe se ata dëgjonin; atje pa se si Jezu Krishti shërbente: dashuria falas që Hyji ka treguar për shëlbimin e njeriut, për ta shkëputur nga skllavëria, nga ankthi dhe nga mëkati. Jezu Krishti bëhej i pranishëm.
Gjithçka që Hyji lejoi, e gjithë prania e tij në Palomeras, qe si një tokë e punueshme që Hyji kishte përgatitur për të filluar Ecjen Neokatekumenale. Gjithçka që Hyji na bëri të përjetojmë në mes të një bote të varfër, Hyji e kishte përgatitur për Kishën e tij.

Ishte një mrekulli që Imzot Morcillo të vinte te kasollet, një mrekulli e pabesueshme: një këshilltar i Mbretërisë, në epokën e Frankos, që të paraqitej atje i veshur si meshtar në një 600; që të hynte në kasollen time; që të lutej me ne; që të na njihte si të tijët… ARQIPESHKVI hyri në kasollen time, pa se si jetoja, se si luteshin vëllezërit dhe tha: “Unë nuk jam i krishterë”! Guardia Civil kishte filluar të rrëzonte kasollet, duke filluar nga kasollja e Carmen-it, por arritja e Arqipeshkvit i ndaloi.
Ishte prania misterioze e Imzot Morcillo-s në kasolle që e bëri Carmen-in të vendoste të bashkëpunonte përfundimisht me mua. Po të mos kishte qenë për Morcillo-n ne nuk do të kishim shkuar në famullitë! Dhe ishte përsëri ai që na hapi dyert në Itali.
Carmen-i pa te Imzot Morcillo praninë e Kishës dhe ndryshoi plotësisht qëndrimin e saj me mua; me praninë e Arqipeshkvit, pa të realizohej premtimi që Hyji i kishte bërë në Izrael, se Hyji donte që ajo të bënte diçka për Kishën universale, se nuk bëhej fjalë për të themeluar një kongregatë. Ju tregoj këtë që të shihni si një mister të madh të Zotit bashkëpunimin mes Carmen-it dhe meje”.
Këtë kujtonte Kiko në prezantimin e “Biografia e Carmen-it”.
Thirrja e Carmen-it ishte misioni, dhe nuk mendoi kurrë të qëndronte në Spanjë, e akoma më pak në Madrid, ku jetonte familja e saj; kjo për të ishte si një dështim i idealit të saj misionar. Por prania e Kishës, përmes Arqipeshkvit të Madridit, Imzot Casimiro Morcillo-s, e bëri të vendoste të qëndrojë përfundimisht me Kiko-n. Kështu fillon një marrëdhënie gjeniale dhe unike që do t’i japë origjinë “kësaj dhurate të Shpirtit Shenjtë për Kishën” – kështu e kanë përkufizuar Papët – që është ECJA NEOKATEKUMENALE.
Mbështetja e Arqipeshkvit të Madridit, që gjithmonë ka qenë në krah të Kiko-s dhe Carmen-it, do të jetë thelbësore për të kuptuar se nuk mund të hynin në asnjë kompromis shoqëror-politik, në një moment shumë të vështirë për Spanjën, ku edhe aq shumë rregulltarë që jetonin me të varfërit, duke kërkuar drejtësinë shoqërore, u nisën drejt komunizmit; dhe disa prej tyre përfunduan duke lënë Kishën, siç ndodhi, për shembull, me shoqet e Carmen-it.
Në lidhje me kompromisin shoqëror-politik Kiko kujtonte:
“Carmen-i ka qenë gjeniale, duke këmbëngulur se në krishtërim nuk ka tjetër kompromis përveç pagëzimit”.
Dhe ky sakrament do të jetë themeli i Ecjes Neokatekumenale. Për të filluar Ecjen Neokatekumenale Hyji mori Kiko-n dhe Carmen-in. Ka bërë të bashkohen problematika ekzistenciale e Kiko-s, të modeluar përmes kerigmës dhe vizionit të tij për të bërë bashkësi të vogla, me përtëritjen teologjike të Carmen-it dhe misionin e saj të ungjillëzimit.
Siç ka thënë At Mario Pezzi gjatë funeralit të Carmen-it:
“Do të jenë historianët që do të thellojnë këtë fakt: themelimin e një realiteti kishtar, të kryer nga një burrë dhe një grua që kanë bashkëpunuar vazhdimisht së bashku”.

Në historinë e Kishës, për herë të parë, gjejmë një fakt të ngjashëm. Vërtet është një mister të Hyjit ky bashkëpunim gjatë më shumë se 50 vitesh: Hyji e bëri të mundur për t’i dhënë fillim Ecjes Neokatekumenale, për të përtërirë Kishën. Një marrëdhënie e bazuar në fe, e bazuar tërësisht mbi misionin në të cilin Hyji i kishte thirrur, e hera-herës e vështirë për ta. Kiko dhe Carmen-i i mbetën besnikë zgjedhjes së tyre pa zbritur nga kryqi që ne, vëllezërit e Ecjes, të merrnim një fe të rritur. Jeta e Kiko-s dhe Carmen-it së bashku ka qenë gjithashtu një Pashkë: ata vdisnin për veten e tyre që vëllezërit të merrnin ringjalljen. Në një bashkëjetesë të vitit 1994, duke iu referuar kësaj marrëdhënieje me Carmen-in, Kiko thoshte:
“Hyji na bëri të bashkohemi, por gjithmonë në një mënyrë të bezdisshme. Që të mos mburremi, që të shihet nëse vërtet kërkojmë vullnetin e Hyjit apo veten tonë; duhet të pranojmë bezdinë e bashkëpunimit për këtë mision”.
Carmen-i në ditarët e saj hera-herës shkruan: “Kiko është një mister”. Por shumë herë, duke folur me Kiko-n, më ka thënë: “Carmen-i është një mister”.
Të gjithë ne që e kemi njohur Carmen-in e kuptonim vuajtjen e saj, por deri kur s’kemi lexuar Ditarët e saj nuk mund ta imagjinonim as deri në çfarë mase. Hyji e bëri të jetonte momente depresioni të madh, që e bënë të kalonte përmes natës së errët të shpirtit, siç i ka ndodhur kaq shumë shenjtërve të mëdhenj. Një vuajtje aq e fortë saqë, hera-herës, të lexosh ditarët e saj të dridhet trupi. Shkruan në Ditarët e saj në Mars 1985:
“Madrid. Zbrazëtia, asgjëja, trishtimi dhe pamundësia. Moskomunikim. Pa dëshirë për asgjë. Hyji im, ajo që më tmerron më shumë është të mos besoj tek Ti. Ki mëshirë për mua. Më thuaj se TI JE. Kjo më mjafton”.
Shkurt 1988:
“Madrid. Jezusi im! Ajo që më bën më të trishtuar dhe më bën të vuaj është të mos besoj tek Ti”. “Të paktën të besoja tek Ti. Ku është dashuria jote, ku je Ti? Jezusi im, e trishtuar, e heshtur, e vetme dhe e gërbulur. Nuk shoh, përse?”.
Janar 1992:
“New York. Jezusi im, përse TI zhdukesh? Kjo është sëmundja më e keqe dhe jeta ime mbetet pa kuptim, e vdekur”.
Tokio:
“Tokio. Jezusi im, pa Ty asgjë nuk më intereson dhe gjithçka më duket e pamundur. Jezusi im, përse? Nuk kam fe”.
Qershor 1994 në Romë, ditën kur shohin Papën të paraqesë projektin për Malin e Lumturive:
“ROMA. VATIKANI – PAPA – BEKIMI i maketit për Malin e Lumturive. Jezusi im! Je i madh dhe i mrekullueshëm. A ti kujtohet tenda mbi Malin e Lumturive? Po stuhia? Po sa ti më doje mua dhe unë të doja Ty? Më bëj të kthehem tek Ti, tek dashuritë e tua të ëmbla dhe të vetme”.
16 Korrik 1996 Porto San Giorgio:
“Shumë e ëmbla Virgjër MARIA, streha ime, Lum TI që ke besuar. Të shoh si një mbrojtëse hapësinore rreth meje. Jezusi im, më jep FE, sepse trishtimi dhe vetmia dhe moskomunikimi më bëjnë të shoh gjithçka negative. Shumë e ëmbla Virgjër Maria, më mbro me FENË TËNDE.”
Ka kaluar shumë periudha heshtjeje, duke i kërkuar Zotit të mund të predikojë. Përbri fjalëve të pranimit të realitetit të saj të heshtjes, janë shkruar fjalët PËRVUJTËRI, PËRVUJTËRIMI. Zoti u shërbye nga netët e saj të errëta – dhe kanë qenë kaq shumë! – për të përvujtëruar dhe për ta bërë të vogël një grua të jashtëzakonshme, guximtare, shumë të mençur, misionare plot me zell për Ungjillin, shkencëtare, teologe, me një predikim shumë origjinal dhe inovativ, punëtore e madhe, kërkuese e papagueshme… – dhe cilësi të tjera që mund të kujtonim për të. Zoti e vuri në provë, “si arin në furrë”. Një pervujtëri që e ka dëshmuar duke mbetur me Kiko-n gjithmonë në plan të dytë, sepse pa se misioni i saj ishte ta ndihmonte dhe ta mbështeste.
Ka shkuar nëpër botë duke shpallur Ungjillin, duke nxitur qindra thirrje për meshtari, për jetën rregulltare dhe misionare, si dhe familje të tëra, përbri Kiko Argüello-s. U dha vetë dhe është shkrirë për Ungjillin, duke shpallur Lajmin e Mirë dhe duke dëgjuar kaq shumë vëllezër e motra, problemet e tyre dhe vuajtjet e tyre.
Një cilësi për të cilën Carmen-i është dalluar gjithmonë ka qenë guximi i saj, guximi i saj i madh dhe liria e madhe që kishte, sepse i interesonte vetëm të bënte vullnetin e Hyjit; për këtë ishte e lirë me të gjithë: shihte Zotin në të gjitha ngjarjet, ishte një grua eskatologjike – siç i pëlqen të thotë at Mario. Për këtë ka ndihmuar kaq shumë të rinj, për guximin që ka dëshmuar duke jetuar në të vërtetën dhe duke e predikuar atë. Ka ndihmuar kaq shumë gra të vlerësojnë amësinë, të njohin kurthet e djallit që do të mashtrojë gratë e kësaj breznie, sepse ato kanë fabrikën e jetës – siç thoshte me një origjinalitet të mrekullueshëm -, dhe ky predikim ka ndihmuar kaq shumë vajza të vlerësojnë të qenurit grua, duke u treguar atyre se nuk ka asgjë më të madhe se të lindësh jetën, të formosh një person dhe të edukosh një fëmijë. Ka qenë e madhe në mbrojtjen e familjes krishterë dhe të grave; nuk ka pasur frikë të shkojë kundër rrymës, duke hequr maskat e feminizmave të rreme dhe mashtrimet që fshihen pas promovimit të abortit.

Si të përmbyllje, do të doja të thosha se ajo që më godet personalisht te Carmen-i është falasshmëria që ka treguar gjithmonë në predikimin e saj. E vetëdijshme për zgjedhjen falas të Hyjit, ajo sheh në të gjitha ndërhyrjet e Zotit në jetën e saj falasshmërinë e dashurisë së Tij; kjo do të jetë shenja dalluese e të gjithë predikimit të saj. Kjo shihet qartë në katekezat e saj mbi sakramentet, veçanërisht mbi pendesën dhe Eukaristinë. Kam zgjedhur disa fjalë nga takimi i saj i vitit 1992 me komunitetet e El Salvadorit, por mund të citoja cilindo nga katekezat e saja.
“Ringjallja e Jezu Krishtit nuk u la nga Hyji në biblioteka apo në universitete, por ai la një përkujtim të përvojës së ringjalljes, që është Eukaristia, dhe është aty ku apostujt e përjetuan atë. Të gjithë ikën nga kryqi, duke filluar nga Shën Pjetri, i cili mendonte se ishte aq i ndershëm dhe se e donte aq shumë Jezu Krishtin: ‘Do të të ndjek deri në vdekje’! Kur pa vdekjen, iku, ashtu siç ikim të gjithë ne. Dhe ishte Jezu Krishti i ringjallur Ai që u doli përpara, një nga një, ashtu siç i ka dalë përpara secilit prej nesh, Ai, i gjallë, për të na marrë për dorë. Për këtë arsye, krishtërimin nuk e arrin dot askush, as me koherencën e vet e as me vullnetin e vet të mirë. Ringjallja e Jezu Krishtit tejkalon çdo mundësi të humanizmit dhe të forcës njerëzore. Askush nuk mund ta arrijë Ringjalljen me forcat e veta; prandaj ajo është falas. Jezu Krishti i ringjallur do ta marrë lirisht secilin prej nesh dhe do të na bëjë të dalim nga situata jonë e mëkatit dhe e vdekjes”.
Edhe pse kjo kerygmë e bukur do të mund të ishte një përfundim i mirë, meqë e nisa duke thënë se Carmen-i ishte një mistike, dua ta përmbyll me disa nga fjalët e saj të bukura, ose më saktë, besime konfidenciale të një gruaje të dashuruar, të nxjerra nga ditari i saj i nëntorit 1971, të cilat janë si një lutje:
“Jezusi im i ëmbël, të dua;
më mbulo me vullnetin tënd dhe më mëso të bëj vullnetin tënd.
Vëri fjalët e tua në gojën time.
Më mëso të braktisem te Ti.
O Jezus, e kam zemrën e plagosur, të dua;
Eja, Jezusi im i ëmbël, dashuria ime, jeta ime.
Dashuria ime, të dua;
ki mëshirë për mua, më ndihmo, më çliro.
Ti je Hyji im, te Ti shpresoj, Jezusi im shumë i ëmbël.”













