San Giovanni  Paolo II benedice Carmen Hernández

Përkujtimi i përvjetorit të pestë të vdekjes së Carmen Hernández-it

Me rastin e përvjetorit të pestë të vdekjes së Carmen Hernández-it, bashkënismëtare e Ecjes Neokatekumenale së bashku me Kiko Argüello-n, këtë të hënë më 19 korrik, në orën 20 në Madrid, do të kremtohet një Eukaristi solemne, e cila do të kryesohet nga Kardinali Arqipeshkëv i Madridit, Osoro.

Në kremtim do të marrin pjesë qindra vëllezër, kryesisht nga bashkësitë neokatekumenale të Madridit, dhe ai do të bashkëkremtohet nga shumë meshtarë.

Në përfundim të Eukaristisë, gjatë së cilës do të lutet për pushimin e amshuar të Carmen-it, Carlos Metola, postulatori i kauzës, do t’ia dorëzojë Kardinalit kërkesën zyrtare për hapjen e çështjes së saj të lumturimit, pasi janë mbledhur më shumë se 16.000 faqe, të përmbledhura në 70 vëllime, që përmbajnë shkrimet personale, katekezat dhe materiale të tjera të Carmen-it, të mbledhura pas vdekjes së saj.

Kremtimo do të transmetohet përmes YouTube


Përvjetori i pestë i vdekjes së Carmen Hernández përkon me botimin e biografisë së saj të parë zyrtare, autor i së cilës është profesori dhe doktori në filozofi Aquilino Cayuela, botuar nga Biblioteca de Autores Cristianos  -Biblioteka e Autorëve të Krishterë  (BAC)

Pas vdekjes së Carmen Hernández Barrera, më 19 korrik 2016, përballë ndereve dhe hireve të shumta të marra përmes ndërmjetësimit të saj  dhe mijëra vizitave në varrin e saj, u pa e arsyeshme të përgatitej një dokumentim i plotë mbi jetën e saj dhe mbi kontributin e saj në lindjen dhe përhapjen në mbarë botën të Ecjes Neokatekumenale.