Carmen Hernández - Convivenza degli Itineranti in Israel

Carmen Hernandez – Soria dhe Navarra (Spanjë)

OLVEGA


Carmen-i lind në Ólvega (Soria) më 24 nëntor 1930. Fëmijërinë e saj e kalon në Tudela (Navarra). Që e vogël ndien thirrjen misionare nën ndikimin e shpirtit të Shën Françesk Ksavierit. Studion Shkenca Kimike në Universitetin e Madridit. E konkretizon thirrjen e saj misionare në Javier (Navarra), në Institutin e Misionareve të Krishtit Jezus, dhe studion Teologji në Valencia. Në vitin 1964 njeh Kiko Argüello-n në barakat e Palomeras Altas të Madridit dhe, pas përvojës së tyre për të shpallur Ungjillin të varfërve, fillojnë Ecjen Neokatekumenale, duke e dhënë jetën e tyre në këtë mision për më shumë se 50 vjet në mbarë botën. Carmen-i kishte një dashuri të pamasë për Jezu Krishtin, Kishën, Virgjërën Mari, Papën, Liturgjinë, Shkrimet e Shenjta dhe rrënjët hebraike të krishterimit. Ajo vdes në Madrid më 19 korrik 2016.

Shtëpia ku lindi Carmen Hernandez

Carmen-i lindi në një familje të madhe; ajo ishte e pesta nga nëntë vëllezër. Prindërit e saj, Antonio dhe Clementa, u shpërngulën nga Ólvega në Tudela. Nëna kthehej në Ólvega për të lindur fëmijët, të cilët vinin në jetë në fshatin pranë gjyshërve.

Carmen-i u pagëzua katër ditë pas lindjes së saj në famullinë e Santa Maria la Mayor të Ólvegës. Në kishë ruhet pagëzimorja e vjetër prej druri ku u pagëzua Carmen Hernández. Kisha gotike u ndërtua midis fundit të shekullit XV dhe fillimit të shekullit XVI. Në tërësinë e saj spikat altari i madh në fund të shekullit XVI, vepër e skulptorit Francisco de Agreda. E gjithë pala e altarit është një pamje e afërt e Historisë së Shëlbimit të njeriut, ku paraqiten katër ungjilltarët, katër Etërit e shenjtë të Kishës latine, skena nga historia e Virgjërës, misteret e jetës së Jezusit, skena e flijimit të Isakut; gjithçka kulmon me kryqëzimin e Jezusit.

Vaska Pagëzimore e Santa María la Mayor

TUDELA


Carmen-i e kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën e saj deri në moshën 15-vjeçare në Tudela, qytet i krahinës Rivera de Navarra, një tokë e pasur, në brigjet e lumit Ebro, ku lulëzon kopshti i famshëm i Tudelës. Ajo bën pjesë në Rrugën e Shën Jakobit, e cila pranon pelegrinët që vijnë nga Mesdheu dhe që ndjekin rrjedhën e Ebro-s deri sa arrijnë në Rrugën franceze. Në atë kohë Tudela i përkiste dioqezës së Tarazonës. Në dekadën e viteve 40 kishte një numër të madh urdhrash rregulltarë, si meshkuj ashtu edhe femra. Dy qendrat private arsimore që ekzistonin ishin kryesisht Shoqëria e Marisë për gratë, ku studioi Carmen-i, dhe Shoqëria e Jezusit për burrat.

Jezuitët, misionarë në shumë vende të botës, kur kalonin nëpër Tudela, zakonisht vizitonin institutin e afërt të Shoqërisë së Marisë dhe i mahnitnin vajzat me rrëfimet e tyre misionare, të shoqëruara me diapozitiva. Nga këto takime lindi tek Carmen-i thirrja misionare, të cilën ajo e ndjeu që kur ishte 5 vjeçe. Kur Carmen-i shkonte në shkollë, kalonte përmes Katedrales së Shën Marisë për të vizituar të Shenjtërueshmin Sakrament. Kjo kishë ndodhej në gjysmën e rrugës midis shtëpisë së saj dhe institutit; hynte nga një derë dhe dilte nga tjetra. Çdo ditë lutej në Kapelën e të Shenjtërueshmit, e gjunjëzuar para Sakramentit të Shenjtë. Ajo vetë tregon se në këtë kapelë ndjeu thirrjen për misionin, duke dëgjuar për herë të parë në gjuhën spanjolle Ungjillin e mrekullisë së peshkimit dhe duke kaluar orë të tëra në adhurim para Jezusit në sakrament.

Kapela e Shpirtit Shenjt në Katedralen e Tudelës. Burimi Wikimedia

Pas shkollës fillore, Carmen-i ndoqi kursin e baçelorit  deri në moshën 14-vjeçare dhe kështu njohu shumë mirë përshpirtërinë e Shën Injacit të Loyolës dhe u dashurua me figurën e Shën Françesk Ksavierit. Ajo thoshte gjithmonë: “E kam njohur Ksavierin para Shën Palit”. Kështu, Françesk Ksavieri dhe India u bënë ideali i saj misionar. Ungjillëzimi ishte për të vetë jeta e Kishës, “veshja e re” që do ta mbulonte gjatë gjithë jetës së saj me një dashuri të jashtëzakonshme për Krishtin dhe për misionin.

Në vitin 1945 familja u shpërngul në Madrid. Atje Carmen-i vazhdoi studimet me urdhër të babait të saj, derisa përfundoi degën e Kimisë në moshën 21-vjeçare. Filloi të punonte kryesisht në fabrikën e vajit të familjes në Andujar. Më vonë do të braktisë gjithçka dhe do të shpërngulet në Javier.

JAVIER


Javier-i është një fshat i vogël që ndodhet 55 km në lindje të Pamplonës. Është vendlindja e Shën Françesk Ksavierit, i lindur në vitin 1506 në kështjellën që mban emrin e tij, dhe pajtor i misioneve. Kur studionte në Paris, ai u bashkua me grupin që Shën Injaci i Loyolës mblidhte për projektin e tij të themelimit të jezuitëve. I shuguruar meshtar në Romë, në vitin 1541 udhëtoi drejt Lindjes, duke ungjillëzuar pa pushim Indinë dhe Japoninë gjatë 10 viteve, duke kthyer shumë njerëz në fe. Vdiq më 3 dhjetor 1552 në ishullin Sanchon, në portat e Kinës, pa e realizuar ëndrrën e tij për ta ungjillëzuar atë. U shpall shenjt më 12 mars 1622. Është bashkëpajtor i Navarrës së bashku me Shën Fermin-in.

Hyji e udhëhoqi Carmen-in drejt Javier-it në një mënyrë të mistershme, siç e rrëfen edhe ajo vetë. Në raste të ndryshme kishte kërkuar të nisej si misionare, por babai i saj nuk e lejonte. Pasi mbushi moshën e pjekurisë, udhëtoi drejt Pamplonës dhe prej andej drejt Javier-it, pa mundur që babai ta ndalonte. Carmen-i tregonte se udhëtimin me tren e bëri me disa të rinj, të cilët, ndërsa flisnin për jetën e tyre, mbetën shumë të habitur kur ajo tha se po udhëtonte drejt Javier-it për t’u bërë misionare. Mënyra e saj e të qenurit dhe e të folurit shkaktoi tek ata një mosbesim: “Ti, murgeshë?”

Në Javier, Carmen-i hyri në Institutin e Misionareve të Krishtit Jezus, i cili kishte lindur në vitin 1944 me mbështetjen e ipeshkvit don Marcelino Olaechea dhe me frymëzimin e misionarit jezuit, At Domenzáin-it. Ky i fundit kishte parë mundësinë për të çuar në misionin e tij në Japoni punën e shkëlqyer kishtare që realizonte atje një grup grash të Veprimit Katolik. Të reja me një thirrje të qartë për të ndihmuar misionarët. Kjo thirrje ishte si një zjarr. Kishte lindur një stil i ri dhe më i efektshëm misionar: “Vajza të gatshme për misionin, atje ku Kisha ka nevojë për to”. Carmen-i e kujton këtë periudhë me mirënjohje ndaj Zotit dhe si një çenakull lutjeje dhe hiri të jashtëzakonshëm, ngushëllimi dhe rizbulimi të Shkrimeve të Shenjta, me një shpirt vërtet të fuqishëm.

Carmen-i hyri në Bashkësinë e Misionareve të Krishtit Jezus më 1 prill 1954. Siç rrëfen shoqja e saj Loli, ajo vlerësohej shumë për dinamizmin e saj të brendshëm, dashamirësinë, afërsinë me të tjerët dhe humorin e saj të mirë. Pas gjashtë muajsh si postulante, më 3 tetor, ditën e Shën Terezës së Jezusit Fëmijë sipas kalendarit të vjetër, kalon në noviciat dhe vesh petkun në Bazilikën e Javier-it me emrin Maria del Carmen e Jezusit.

Shtëpia e noviciatit të Misionareve, me parkimin aktual përpara kështjellës

Përveç tre kushteve të zakonshme të varfërisë, dëlirësisë dhe bindjes, ato shpallnin edhe një kusht të katërt të kushtimit ndaj misioneve; gjë që e mahniste Carmen-in, sepse i përgjigjej thirrjes së saj të zjarrtë misionare. Ishte koha e noviciatit; një kohë përvujtërie dhe thjeshtësie, përgatitjeje për të qenë të dobishme në mision; me studime të misionologjisë, fesë, infermierisë, mjekësisë ose gjuhëve të huaja dhe shumë orë pune e lutjeje: ato luteshin në të gjitha orët e shenjta, Shërbesën e vogël, Rruzaren dhe adhurimin para të Shenjtërueshmit. Ditët në Javier ishin ditë në të cilat Carmen-i jetoi nën një disiplinë të rreptë, një kohë sakrifice, përvujtërie, gëzimi dhe dashurie të thellë me Jezu Krishtin. Një dashuri me Jezusin e fuqishme dhe e pasur, e cila pati çastin e saj të veçantë të hirit në natën nga 6 deri më 7 shtator 1956. Para se të merrnin kushtet, ato kishin një muaj të plotë ushtrimesh shpirtërore. Në javën e tretë, kushtuar Mundimeve, Carmen-i u prek shumë nga mohimet e Shën Pjetrit ndaj Jezu Krishtit. Kaloi gjithë natën duke menduar se, nëse Shën Pjetri, në vend që të thoshte: “unë nuk do të të mohoj”, do t’i kishte kërkuar Zotit: “mos lejo që të të mohoj”, Ai do t’ia kishte dhuruar këtë hir. Me këtë mendim shkoi të flinte dhe pati një ëndërr në të cilën sheh Jezu Krishtin që i thotë: “Ti, më ndiq!”. Dhe Carmen-i, duke parë Jezu Krishtin, përpiqet ta ndjekë, por kupton se kjo është një marrëzi. Dhe Ai i përsërit: “Ti, më ndiq!”. Pastaj del së bashku me Jezu Krishtin nga dritarja dhe gjendet në zbrazëti; fillon një zbritje gjithnjë e më e shpejtë, me frikën se do të copëtohej, dhe dëgjon zërin e Jezu Krishtit që i thotë: “A nuk thoje ti se doje të më ndiqje?”. Atëherë ajo tha: “Po!” dhe hyri në vdekje. Në të njëjtin çast e gjen veten duke u ngritur në një ngjitje të lavdishme, të mrekullueshme, me një ndjesi të madhe dhe të pakrahasueshme kënaqësie dhe mirëqenieje. Ishte një lumturi e plotë, një qëndrim në qiell pas Zotit, duke u ngjitur deri sa tha: “Mjaft! Mjaft!”. U zgjua pasi kishte përjetuar atë që ishte me të vërtetë “lumturia” e qiellit. Këtë ngjitje e përjetoi gjatë një muaji të tërë, duke provuar një kënaqësi të pafund: ishte qielli, zotërimi i Hyjit, Jeta e Amshuar. Carmen-i do të thoshte se këtë ëndërr nuk do ta harronte kurrë, sepse ajo i bënte të pranishëm Misterin Pashkvor: kenosin (zbritjen) dhe Ngjalljen, si një dritë që e shoqëroi gjithmonë në ngjarjet e jetës së saj.

Kështjella e Javier-it, Navarra (Spanjë)

Kështjella e Javier-it është vendi i lindjes së Shën Françesk Ksavierit, pajtorit universal të misioneve. Në moshën 18-vjeçare ai la shtëpinë e tij dhe nuk u kthye më kurrë aty. I shtyrë nga zelli i tij ungjillëzues, ai përshkoi Lindjen e Largët, Indinë, Japoninë dhe vende të tjera, dhe vdiq në portat e Kinës, në ishullin Sancián. Carmen-i, në zjarrin e saj misionar, thoshte gjithmonë: “Unë e kam njohur Shën Françesk Ksavierin para se të njihja Shën Palin.” Kështu, Shën Françesk Ksavieri dhe India u bënë ideali i saj misionar.

Pllaka e Shën Françesk Ksavierit përpara kështjellës

Në këtë vend Carmen-i hyri në Institutin e Misionareve të Krishtit Jezus, një themelim spanjoll i mbështetur nga ipeshkvi D. Marcelino Olaechea dhe nga misionari jezuit At Domenzain. Ky Institut kishte shtëpinë e formimit në një ndërtesë pranë kalasë. Carmen-i hyri në vitin 1954 dhe aty kreu noviciatin. Në këtë Institut qëndroi 8 vjet, derisa Zoti i tregoi se vullneti i Tij për jetën e saj ishte një rrugë tjetër. Pas një udhëtimi në Tokën e Shenjtë në vitet 1963-1964, duke u kthyer në Madrid, ajo filloi së bashku me Kiko Argüello-n atë që më vonë do të njihej si Ecja Neokatekumenale, të cilën Kisha e ka njohur zyrtarisht si “një itinerar formimi katolik të vlefshëm për shoqërinë dhe për kohët e sotme”.

KRISHTI I BUZËQESHUR I KËSHTJELLËS SË JAVIER-IT

“Kush nuk është lutur përpara Krishtit të Javier-it, nuk e di çfarë do të thotë të lutesh.” (Carmen)

Në oratorin e kalasë së Javier-it gjendet një skulpturë romane prej druri e Krishtit të kryqëzuar, e njohur si “Krishti i buzëqeshur”, me kokën e përkulur mbi shpatullën e tij të djathtë. Në buzët e tij shfaqet një buzëqeshje e butë dhe e ëmbël. Carmen-i jetonte në një frymë lutjeje. Ajo prekej thellë kur lutej para Krishtit të Javier-it, i cili ndodhet në kala dhe që buzëqesh ëmbëlsisht përballë pikturave të vallëzimit të vdekjes, ku paraqiten tetë skelete që nuk kanë asnjë pushtet mbi Të dhe që nuk e njohin këtë Lajm të Mirë: “Ka udhë në Kryq; vdekja është mundur në Jezu Krishtin!”

Pas kësaj përvoje ajo përfundoi noviciatin dyvjeçar. Më 3 tetor 1956 bëri kushtet e përkohshme në një rit të drejtuar nga Imzot Olaechea. Në verën e vitit 1957 u nis për në Valencia, e dërguar për të kryer studime teologjike. Më në fund, pas shumë ngjarjesh, ajo do të udhëtonte në mënyrë të provanisë hyjnore në Tokën e Shenjtë. Atje do të zbulonte përshpirtërinë e Historisë së Shëlbimit. Më pas do të gjente vendin e saj në Kishë si laike, së bashku me Kiko Argüello-n, duke filluar së bashku Ecjen Neokatekumenale me At Mario-n.


AGREDA


Manastiri i Zojës së Papërlyer

Manastir i Koncepcionisteve i themeluar nga Catalina Arana, nëna e Motrës Maria de Jesús (1602-1665), e njohur si Maria e Ágredës. Ajo ishte një nga shkrimtaret më të mëdha mistike të Kishës Katolike (“Mistica Ciudad de Dios” – “Qyteti mistik i Hyjit”), një mariologe e shquar që, tre shekuj më parë, parapriu ndër të tjera përkufizimin e dogmës së Ngjizjes së Papërlyer të Virgjërës Mari. Ajo ishte këshilltare e mbretit Filipi IV, me të cilin mbajti një korrespondencë të gjerë, duke e këshilluar për jetën e tij shpirtërore dhe për detyrën e tij si sundimtar. Ishte gjithashtu ungjillëzuese e indianëve të Amerikës së Re dhe të Teksasit, pa u larguar nga Ágreda, falë dhuratës së bilokacionit. Kjo murgeshë e shekullit XVII është ende e aktuale dhe ka një fjalë për t’u thënë edhe sot; prandaj këshillohet të vizitohen manastiret e saj.

Carmen Hernández-i, që nga fëmijëria, i njihte cilësitë e kësaj murgeshe dhe shpesh vizitonte manastirin dhe muzeun e tij. Por ishte në New York (SHBA) që, gjatë një bisede me një bamirëse të seminarit Redemptoris Mater (1990), Helen Sirola, ajo njohu rëndësinë ungjillëzuese të Motrës Maria de Jesús, “gruas blu”, dhe zbuloi figurën dhe virtytet e saj.

Basilica Nuestra Señora de los Milagros (Zoja jonë e mrekullive)

Tempull i ndërtuar në shekullin XVI, kushtuar Virgjërës së Mrekullive, Pajtores së Villa-s dhe Tierra-s, që ruan Pagëzimoren ku u pagëzua motra María de Jesús dhe që ende përdoret edhe sot.

TARAZONA


Catedralja e  Santa Maria de la Huerta (Shën Maria e Kopshtit)

Selia e dioqezës së Tarazonës përmbledh një bashkësi stilesh të ndryshme, nga gotiku i shekujve XIII–XV, deri te Rilindja e shekullit XVI, e pasuruar me traditën ndërtimore të stilit mudéjar aragonez.

Deri në riorganizimin e ri të provincave dioqezane në vitin 1956, Ólvega, Tudela dhe Ágreda i përkisnin dioqezës së Tarazonës, me të cilën Carmen Hernández-i ishte shumë e lidhur, sepse në këtë dioqezë kishte marrë sakramentet e nxënies së krishterë; ajo ua kujtonte këtë edhe ipeshkvijve me të cilët bisedonte.

Katedralja, për shkak të kapacitetit të saj të madh, është e përshtatshme për të pritur grupe më të numërta.


Carmen Hernández PDF file download icon
Triptik: Historia e Navarrës 1
Carmen Hernández PDF file download icon
Triptik: Historia e Navarrës 2
KONTAKTO