BARCELONË (1962-1964)

Carmen-i mbërriti në Barcelonë më 11 janar 1962, duke ardhur nga Londra, vendi ku eproret e Institutit të Misionareve të Krishtit Jezus – të cilit ajo i përkiste që nga viti 1953 – e kishin dërguar për të mësuar anglisht, me synim për një caktim të mundshëm të saj në Indi. Ajo mendonte se nga Londra do të nisej për në atë vend, por eproret e saj ndryshuan mendim dhe Carmen-i vuajti – siç e ka thënë shumë herë – një “sekuestrim ajror” dhe, në vend që të zbriste në Indi, e gjeti veten në Barcelonë.

Gjatë tetë muajve të parë të vitit 1962, ndërsa eproret e saj vendosnin për pranimin e saj në kushtet e përhershme, ajo do të jetonte në kuvendin e Misionareve, në rrugën Princesa nr. 52.
Në Barcelonë vazhdoi të studionte anglisht dhe filloi t’u jepte mësime grave punëtore. Gjatë Kreshmëve së atij viti, eproret e saj ftuan At Pedro Farnés Scherer-in për të zhvilluar një tërheqje shpirtërore.
Takimi me at Farnés-in ishte vendimtar për jetën e Carmen-it. Ajo konsideronte se Zoti, nëpërmjet at Farnés-it, i kishte dhënë “si frytin e parë” përmbajtjet thelbësore të asaj që do të ishte Koncili II i Vatikanit (1963-1965): mbi të gjitha, Misterin Pashkvor, qendrën dhe burimin e jetës së krishterë.

Carmen-i përjetoi Vigjiljen e Pashkëve të vitit 1962 në katedralen e Barcelonës në një mënyrë të veçantë. Ajo tha se, për herë të parë, e kremtoi atë duke e ndier thellësisht, duke jetuar në mishin e saj atë që po kremtonte.
Katedralja e Barcelon-ës, Basilika e Familjes së Shenjtë dhe pamja nga Tibidabo




Përballë largimit të saj të afërt nga Instituti, Carmen-i gjeti një ngushëllim duke vizituar Muzeun Marès (sheshi i Katedrales), veçanërisht serinë e kryqeve romane që paraqesin Krishtin e kryqëzuar me plagët e mundimeve dhe, në të njëjtën kohë, si Mbret që sundon mbi Kryq.
Më 28 gusht 1962 Carmen-i duhej të linte kuvendin, pasi nuk u pranua për kushtet e përhershme. Dy muaj më vonë do të shkonte të jetonte në dy lagje shumë modeste të Barcelonës: Trinidad Nueva dhe Shtëpitë Ekonomike “Eduardo Aunós” (calle Tragura), pranë Montjuic-ut (të shembura aktualisht). Gjatë kësaj periudhe do të punonte në fabrika të ndryshme të qytetit.

Nga Barcelona u nis për në Tokën e Shenjtë më 4 gusht 1963. Dhe nga Toka e Shenjtë u kthye në Barcelonë më 5 korrik 1964. Disa ditë më vonë (më 11 korrik), vendosi të shkonte në Madrid, duke ndjekur udhëzimet e Zotit: “Zoti m’i mbylli të gjitha dyert dhe më është dashur të shkoja në Madrid.”












