Hapja e Çështjes së Lumturimit të Shërbëtores së Hyjit, Carmen Hernández.

JEZUSI IM, MË UDHËHIQ DREJT SHENJTËRISË SATE”; TI MË UDHËHIQ DREJT SHENJTËRISË”

(“DITARËT. 1979–1981”, Nr. 85; Nr. 199)

Më 4 dhjetor 2022 u zhvillua në Madrid një “Akt” me një intensitet dhe domethënie të veçantë për të gjithë Kishën: hapja e fazës dioqezane të procesit të lumturimit dhe shenjtërimit të Carmen Hernández Barrera-s, nismëtare së bashku me Kiko Argüello e atij itinerari të nxënies të krishterë që quhet Ecja Neokatekumenale.

Carmen Hernández gjatë lutjeve

Hapja e procesit

Në kuadrin solemn të Universitetit Francisco de Vitoria në Madrid, në praninë e Kardinalit Carlos Osoro-s, të 2 kardinalëve dhe 41 ipeshkvijve, si edhe të të paktën dy mijë personave të tjerë të ardhur nga vende të ndryshme të Evropës dhe të botës – misioni i kryer nga Carmen dhe Kiko shtrihet në 135 vende të 5 kontinenteve dhe shumë persona kanë kërkuar të mund të marrin pjesë në këtë inaugurim solemn – u zhvillua Akti zyrtar i Dioqezës së Madridit.

U zhvillua në katër momente: së pari, një përshëndetje dhe disa fjalë prezantimi nga ana e Kiko Argüello-s, me një lutje dhe leximin e Ungjillit (Mk 9, 2-8), pjesën e Shndërrimit të Zotit, një faqe e Ungjillit veçanërisht e dashur për Carmen-in; më pas vijoi sesioni i hapjes së Çështjes, me leximin e “Supplex libellus”, domethënë kërkesës së paraqitur nga postulatori, i emëruar nga Ekipi ndërkombëtar i Ecjes Neokatekumenale, drejtuar Dioqezës për të nisur këtë proces; leximi i “Nihil obstat” të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Çështjet e Shenjtërve për të filluar procedurën, ndjekur nga lutja ndaj Shpirtit të Shenjtë që të shoqërojë të gjithë këtë punë, dhe nga betimi i Arqipeshkvit të Madridit, me pranimin e kërkesës së paraqitur dhe emërimin e një gjykate dioqezane që do të marrë përsipër të gjithë procesin. Një nga një, delegati ipeshkvnor, promotori i drejtësisë, noterja (dhe zëvendësja e saj), si dhe postulatori i Çështjes bënë betimin e tyre. Ky moment u përmbyll me leximin e “Akteve të sesionit” nga ana e Kancelarit-Sekretar dhe me Fjalimin e Kardinalit Osoro.

Në momentin e tretë të Aktit, Orkestra Simfonike e Ecjes Neokatekumenale paraqiti dy pjesë, dy poema simfonike të kompozuara nga Kiko: “Akedá” dhe “Bijat e Jerusalemit”. Pjesa e parë, “ Akedá”, paraqet flijimin që Abrahami thirret të bëjë në malin Moria me birin e tij Isakun, dhe Isaku, i cili ia ofron vullnetarisht fytin e tij që flijimi të mos bëhet i kotë: shfaqet kështu feja mbi tokë. Pjesa e dytë, “Bijat e Jerusalemit”, paraqet çastin e takimit që Jezusi, duke mbajtur kryqin, pati me disa gra që qanin për Të. Zoti u thotë atyre: “Bijat e Jerusalemit! Mos më qani mua, por qani veten dhe fëmijët tuaj!…, sepse nëse veprohet kështu me dru të njomë, çka do të ndodhë me të thatën?” (Lk 23, 28.31). Janë dy pjesë të mbushura me dramatizëm dhe me tension muzikor.

Disa fjalë të shkurtra përmbyllëse, së bashku me përshëndetjen e Arqipeshkvit të Madridit, i dhanë fund Aktit.


Përshëndetja e Kiko-s

Na duket e rëndësishme të paraqesim këtu tekstin e përshëndetjes që Kiko u drejtoi të pranishmëve në fillim të takimit: pas përshëndetjes drejtuar kardinalëve dhe ipeshkvijve të pranishëm, autoriteteve akademike, eproreve të Kongregatës së Motrave Misionare të Krishtit Jezus, institutit të cilit Carmen-i i përkiste për tetë vjet, si dhe të gjithë të pranishmëve (katekistëve itinerantë, rektorëve të Seminareve Redemptoris Mater dhe vëllezërve të bashkësive të themeluara nga Kiko dhe Carmen-i më shumë se 50 vjet më parë), Kiko lexoi letrën e dërguar me këtë rast nga Kardinal Farrell, Prefekt i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, dhe e komentoi këtë hapje të Çështjes së Lumturimit të Carmen-it me këto fjalë:

Personalisht jam shumë i gëzuar që ka ardhur kjo ditë, në të cilën Kisha fillon fazën dioqezane të Çështjes së Lumturimit dhe Shenjtërimit të Carmen Hernández-it. E falënderoj Kardinalin, Arqipeshkvin e Madridit, Carlos Osoro, që ka nisur hetimin mbi jetën, virtytet dhe famën e shenjtërisë së Carmen-it.

Zoti na bashkoi mua dhe Carmen-in, gjatë 52 viteve, në një mision të mrekullueshëm ungjillëzimi – i cili filloi në këtë dioqezë të Madridit – si fryt i Koncilit.

E ndiej si një ngjarje të provanisë që hapja e Çështjes përkon pikërisht me vitin në të cilin përkujtohet 60-vjetori i Koncilit II të Vatikanit; sepse Carmen-i e dha jetën e saj për ta çuar Koncilin në famulli, nëpërmjet një nxënie të krishterë, në shërbim të ipeshkvijve, që quhet Ecja Neokatekumenale.

Është mahnitëse të shohësh këtë histori përmes fakteve dhe njerëzve, një vepër që nuk është bërë sipas një plani të hartuar paraprakisht, por nga veprimi i Shpirtit të Shenjtë. Ajo që ishte përpunuar me shkrim në Koncilin II të Vatikanit, ne e pamë të ndodhte me të varfërve në barakat e Palomeras, nëpërmjet veprimit të Shpirtit të Shenjtë. Atje pamë Zotin të shfaqej, duke krijuar faljen, dashurinë, bashkimin, bashkësinë e krishterë! Si unë, ashtu edhe Carmen-i, kemi qenë dëshmitarë të pranisë së Hyjit në ungjillëzim, dëshmitarë të veprimit të Hyjit në Kishën e Koncilit II të Vatikanit. Ne nuk kishim plane apo ide të paracaktuara. Për më shumë se 50 vjet kemi mundur të dëshmojmë se Hyji është i gjallë në Kishën e Tij.

Carmen Hernández dhe Kiko Argüello në Filipine viti 2003

Carmen, duke ndjekur gjurmët e Shën Françesk Ksaverit (festën e të cilit e kremtuam dje), nuk kishte menduar kurrë të qëndronte në Spanjë, sepse kjo do të ishte si një dështim i idealit të saj misionar. Por Hyji deshi që ne të takoheshim në Madrid, në barakat e Palomeras Altas. Ne u njohëm në vitin 1964, pas kthimit të saj nga pelegrinazhi i saj historik në Tokën e Shenjtë. Unë kisha shkuar të jetoja në një barakë me të varfërit e Palomeras.

Aty Carmen-i njohu bashkësinë e vëllezërve që mblidheshin në barakën time dhe mbeti shumë e prekur nga përgjigjja e tyre ndaj Fjalës së Hyjit. Ajo vendosi të qëndronte me ne dhe ne i ndërtuam një barakë.

Carmen-i pa praninë e Jezu Krishtit, i cili vjen për të shpëtuar mëkatarët, për të përmbushur misterin e Pashkëve dhe për të krijuar bashkimin mes të varfërve. Jezu Krishti dhurohej si dashuri falas për çdo njeri.

E gjithë kjo që Hyji ka lejuar, e gjithë prania e Tij në Palomeras, ishte si një tokë e përgatitur nga Hyji për ta çuar më pas në Kishë. Ajo që Hyji na bëri të përjetojmë në mes të një bote të varfër, Shpirti i Shenjtë e përgatiti për Kishën e Tij.

Ishte prania providenciale e Imzot Morcillo-s në barakat që vendosi bashkëpunimin përfundimtar të Carmen-it me mua. Nëse nuk do të kishte qenë Imzot Morcillo, ne nuk do të kishim shkuar në famulli; ishte gjithashtu ai që na hapi dyert në Itali. Carmen-i pa tek Imzot Morcillo praninë e Kishës dhe ndryshoi krejtësisht qëndrimin e saj ndaj meje; me praninë e arqipeshkvit, ajo pa të realizohej premtimi që Hyji i kishte bërë në Izrael.

Kur Carmen-i ishte në Izrael, në Ein Karem, ajo ndjeu, si në një vegim, se Hyji dëshironte diçka prej saj për Kishën universale, se nuk bëhej fjalë për themelimin e një kongregate.

Po jua tregoj këtë që të mund të shihni, si një mister të madh të Zotit, bashkëpunimin midis Carmen-it dhe meje.

Më ka kushtuar shumë ta pranoja Carmen-in, derisa Zoti më tha në brendësinë time se Carmen-i ishte një hir shumë i madh, që të ishte dikush pranë meje që të më thoshte vazhdimisht të vërtetën: Hyji ma kishte sjellë me një mision; atëherë e pranova Carmen-in me fe, si një person të dërguar nga Zoti. Kam vuajtur derisa, nëpërmjet fesë, kuptova se ajo vinte nga Hyji, dhe që nga ajo ditë ajo ka qenë një hir për mua.

Carmen-i ka qenë e mrekullueshme! Një grua e jashtëzakonshme që ka bërë shumë të mira, jo vetëm për vëllezërit dhe motrat e Ecjes Neokatekumenale, por për të gjithë Kishën.

Carmen-i, çfarë gruaje e mrekullueshme! Me një dhunti të jashtëzakonshme dhe mjeshtërore lirie e dashurie për Kishën. Ajo nuk më ka lajkatuar kurrë: gjithmonë më ka thënë të vërtetën. Ishte në gjendje të qëndronte pas meje, gjithmonë në krahun tim, për të më ndihmuar. Ajo kishte vetëdijen e qartë se misioni që Hyji i kishte besuar ishte të më mbështeste, të më mbronte dhe të më korrigjonte, për të mirën e Ecjes Neokatekumenale.

Për dashurinë ndaj Kishës dhe ndaj vëllezërve, ajo qëndroi pranë meje për 52 vjet, edhe pse nganjëherë kjo ishte e vështirë për të; por Carmen-it i interesonte vetëm të bënte vullnetin e Hyjit, të cilin ajo e shihte të realizohej me mua në këtë Nxënie të krishterë, që është Ecja Neokatekumenale.

Grua e jashtëzakonshme, me të vërtetë, me një bujari të jashtëzakonshme: ajo mohoi veten që unë të mund të veproja, pavarësisht nga korrigjimet; ajo ka qenë gjithmonë pas meje, duke më mbështetur.

Një shembull bujarie, sinqeriteti dhe lirie për t’i folur të gjithëve; ajo u thoshte të vërtetën vëllezërve të bashkësive. Dhe kur ndonjë vëlla largohej, ajo e telefononte dhe e kërkonte, si një dele të humbur, me dashuri.

Ishte një grua e jashtëzakonshme, një profeteshë e vërtetë, një misionare e vërtetë, e cila e jetoi fenë në mënyrë heroike, një grua e rrallë! Shumë e rëndësishme për Kishën, gjithmonë duke u lutur, e dashuruar me Krishtin, me Shkrimin e Shenjtë dhe me Pashkën, dhe me një dashuri të pakushtëzuar për Papën dhe Kishën.

Së bashku jemi nismëtarët e një karizme që Zoti e ka frymëzuar në ndihmë të Kishës së Tij. Fjalët e Papa Françeskut në Tor Vergata në vitin 2018, me rastin e 50-vjetorit të Ecjes Neokatekumenale: “Ju jeni një dhuratë e Shpirtit të Shenjtë për Kishën”, konfirmojnë dëshirën e Carmen-it, që të shihej se në Ecje është Hyji Ai që vepron, se ajo është një vepër e Shpirtit të Shenjtë në Kishë, për të cilën Vetë Ai na ka thirrur të jemi nismëtarë.

Në udiencën e fundit që na dha këtë vit Ekipit Ndërkombëtar të Ecjes, Papa Françesku na shprehu gëzimin e tij për fillimin e hapjes së Çështjes.

Dëshiroj që Kisha, në këtë Çështje të Shenjtërimit që po fillon, të hetojë jetën e saj, e cila shpesh ka qenë një jetë e kryqëzuar, e heshtur dhe e vuajtur, si “në një natë të errët”; dëshiroj gjithashtu që të dalin në dritë virtytet e saj, shumë prej të cilave të fshehura, shumë prej tyre të ushtruara në shkallë heroike. Le të mundë Kisha të bëjë një gjykim të hollësishëm mbi të gjitha këto.

E falënderoj Hyjin që e kam njohur dhe që kam mundur të punoj me të në “mundimet e vështira të Ungjillit”, siç thotë Shën Pali.

Carmen-i! Çfarë gruaje e madhe, me një fe të jashtëzakonshme! Çfarë dashurie e madhe për Krishtin dhe Kishën e Tij!

Faleminderit!

Tani do të dëgjojmë Ungjillin.

Këtë mbrëmje dëshirojmë të shpallim një pjesë të Ungjillit që e ka prekur thellësisht Carmen-in: Shndërrimi, i cili është fati i mrekullueshëm dhe mahnitës i historisë së njeriut, dhe që tashmë është përmbushur në Virgjërën Mari, e cila është figurë jo vetëm e Kishës, por edhe e gjithë njerëzimit.

Shndërrimi do ta çojë këtë natyrë njerëzore të marrë nga Jezu Krishti drejt hyjnizimit të plotë. Është një lartësim drejt lavdisë së qiellit, drejt Ngjitjes në qiell. Dhe kjo mund të përjetohet këtu, sepse të krishterët, nëpërmjet pagëzimit, shndërrohemi ditë pas dite; edhe pse ky trup dobësohet, ne po shndërrohemi në fytyrën e Jezu Krishtit. Kjo është feja e krishterë që ndriçon historinë, të ardhmen e njerëzimit: Shndërrimi.

Leximi i Ungjillit: Mk 9, 2-8.


Shenjtëria e Carmen-it sot

Fotografi archimadrid.es – Luis Millán

Të flasësh për “shenjtëri” në botën e sotme, por ndoshta edhe në vetë Kishën, mund të duket diçka e parëndësishme, diçka thjesht intimiste, që nuk ka të bëjë fare me problemet e vërteta… Por a është vërtet kështu?

Shenjtëria, përpara se të jetë diçka që ka të bëjë me ne, është thirrja me forcë e Hyjit: “Jini të shenjtë, sepse unë, Zoti, Hyji juaj, jam i shenjtë” (Lev 19,2), “…Sikurse i Shenjti që ju thirri, bëhuni edhe ju të shenjtë në çdo sjellje tuajën… Sepse është shkruar: ‘Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë’” (1 Pjt 1,16). Të flasësh për shenjtëri, për atë që beson, do të thotë të bësh të pranishëm të Shenjtin, Hyjin; do të thotë të bësh të pranishëm veprimin e Tij, lavdinë e Tij që kërkon dhe dëshiron jetën e njeriut: “Lavdia e Hyjit është njeriu që jeton”, thotë Shën Ireneu. [1]

Dhe të flasësh për shenjtërinë e Carmen-it do të thotë para së gjithash të bësh të pranishëm këtë vepër të Hyjit në të, të flasësh për atë që ka pasur kuptim dhe që ka karakterizuar historinë e saj, jetën e saj: është mbresëlënëse të hapësh “Ditarët” e saj dhe të ndjekësh mendimet e saj, vuajtjet e saja, lutjen e saj, shpirtin e saj:

Ditën kur, në vitin 1979, Papa Shën Gjon Pali II lumturoi dy shenjtorë, ajo shkruan në Ditarin e saj:

E varfër dhe pa asgjë, më lind dëshira e brendshme për praninë tënde të vetme. Shenjtëria, o Zot, dëshira të fshehura për shenjtëri, për flijim, për ta mbushur ditën me praninë tënde. Lutje. Zot, eja Ti dhe mbushe me kuptim të mirën, gjërat…” (“Ditarët. 1979–1981”, nr. 77, 29 prill 1979).

O Jezus, gur themeli, jetë e palëvizshme e ndërtuar mbi Kryq. Eja, Jezus, ndriçoje fytyrën tënde mbi jetën time. Më ndihmo që ta mbështes ekzistencën time në Ty. Jezusi im, më ço në lutje, në shenjtërinë tënde, streha ime, jeta ime. Eja, o Shpirt i Shenjtë, ki mëshirë për qenien time të varfër.” (“Ditarët. 1979–1981”, nr. 85, 8 maj 1979).

Shenjtëria, për Carmen-in, para së gjithash është një dëshmi feje në atë Jezus që ajo e do: “Më i ëmbli, i shenjti, madhështori” (“Ditarët. 1979–1981”, nr. 780, 15 dhjetor 1981); në besnikërinë e Tij: “…Kam besim në DASHURINË tënde, Ti je besnik dhe I SHENJTË, i bekuar qofsh Ti, Jezus, butësitë e tua më arrijnë dhe unë do të jetoj” [2]; “Mos lejo që këmbët e mia të lëkunden. Më mbro. Ti, Besniku, i Shenjti, Jezusi im” (“Ditarët. 1979–1981”, nr. 366, 4 shtator 1980); në faktin se Ai lejoi të kryqëzohej nga dashuria: “Ti je i Shenjtë, i pafund, më i ëmbli. Dhe je i kryqëzuar nga dashuria për mua” (“Ditarët. 1979–1981”, nr. 231, 1 prill 1980); Carmen-i kërkon me pasion: “Jezusi im, i vetëm Shenjti, vetëm Ti, ku je?” (“Ditarët. 1979–1981”, nr. 267, 15 maj 1980); ajo e ndien me të vërtetë Atë si çliruesin e saj: “Ty, çlirimtar, i shenjtë, i mrekullueshëm, dritë, jetë, ringjallje e të vdekurve, i drejtë dhe i kryqëzuar” (“Ditarët. 1979–1981”, nr. 187, 16 shkurt 1980); Ai është Ai, në emrin e të cilit ajo lufton çdo betejë: “Në emrin tënd, Jezus, Jezus, përballoj çdo betejë. Ti je. Emri yt i shenjtë. Eja, Jezus” (“Ditarët. 1979–1981”, nr. 299, 23 qershor 1980).

Është pikërisht kjo shenjtëri që Çështja e hapur sot nga Dioqeza e Madridit, nëpërmjet personit të arqipeshkvit të saj, Kardinalit Carlos Osoro, me emërimin e një gjykate dioqezane që do të merret me të, do të duhet ta dokumentojë përmes dëshmive dhe dokumenteve, të cilat më pas do të dërgohen në Romë për shpalljen zyrtare, kur gjithçka të jetë gati.



Disa të dhëna mbi Ecjen Neokatekumenale

Bashkësi: 21.066

Dioqeza: 1.366

Famulli: 6.293

Kombe: 135

Seminare Redemptoris Mater: 121

Seminarista në SRM: 1.900

Meshtarë të formuar në SRM: 2.950

Familje në mision: mbi 2.000, me rreth 6.500 figli.

1.000 familja po  ungjillëzojnë në 212 Missio ad Gentes në 62 kombe, bashkë me një meshtar dhe disa motra.

800 familje janë në vende të ndryshme për të forcuar bashkësitë lokale, duke mbështetur ecjen e tyre në fe.

Mbi 300 janë familje që formojnë, së bashku me një meshtar dhe një të ri, një ekip ungjillëzimi, përgjegjës për një vend ose për disa zona.


[1] S. Ireneo, Adv. haereses, IV, 20,7.

[2] Documentos Carmen Hernández, Vol. 32, shënimi i datës 21/10/1970.